E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gërmime dhe beton anës liqenit të Ohrit, maqedonasit: Po dëmtohet natyra, shqiptarët të reagojnë
Denoncime

Gërmime dhe beton anës liqenit të Ohrit, maqedonasit: Po dëmtohet natyra, shqiptarët të reagojnë

Kryeministri Edi Rama para dy ditësh publikoi foto nga projekti i Shëtitores dhe Unazës së Tushemishtit, që përfshin edhe ndërhyrje në bregun e Liqenit të Ohrit. Kjo zonë është një nga më të paprekurat në vendin tonë, por me ndërhyrjen që pritet të mbarojë pas një viti, ajo do të shndërrohet në një zonë me ndërtime dhe më komerciale.

Kjo ka efektin e vet pozitiv, por padyshim përbën shkatërrim të natyrës dhe shkon në kundërshti me atë që bën thirrje UNESCO dhe organizata të tjera në funksion të mbrojtjes së natyrës. Pas këtyre fotove të publikuara nga Rama, më shumë se ne shqiptarët, janë shqetësuar maqedonasit. “OHRID SOS”, një ndërmarrje mediatike e ngritur në mbrojtje të florës dhe faunës së Ohrit, kërkon dhe shpreson që organizatat joqeveritare në vendin tonë të reagojnë.

Ndërkohë, ndryshe ndodh në vendin tonë, ku deri më tani nuk kemi parë asnjë reagim apo argument kundër këtij projekti, i cili do të ndikojë në jetën bimore dhe shtazore të liqenit. Përtej kësaj, kryeministri Edi Rama po tenton ta shesë projektin si një vepër arkitekturore, që do ta ndërlidhë me natyrën e bukur të Ohrit, për të afruar sa më shumë turistë.

POSTIMI I “OHRID SOS”- Në raportin e dorëzuar pak muaj më parë në organizatat botërore dhe organet e ekspertëve nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, u përmendën disa projekte, rehabilitime dhe inspektime në terren. Por aktivitete të tilla nuk u ndanë askund. Nga njëra anë shpallet mbrojtja e trashëgimisë natyrore të Rajonit të Ohrit, por nga ana tjetër po shtyhen disa projekte, që prishin ekuilibrin natyror.

Të mos harrojmë se për shkak të këtyre propozimeve apo ndërhyrjeve të ngjashme nga pala maqedonase, u propozua që Rajoni i Ohrit të futet në listën e trashëgimisë botërore në rrezik. Duket sikur kryeministri shqiptar (i cili i ka shpërndarë këto foto në Facebook) nuk është i përditësuar me proceset në vazhdim, ndaj po detyron veprime në kundërshtim me rekomandimet e dhëna. Në vend që të plotësohen rekomandimet, kemi situata të reja si kjo, të cilat nuk shkojnë në favor të mbrojtjes, por përkundrazi shkatërrojnë më tej peizazhet specifike.

Edhe një herë, mungesa e vullnetit për ruajtjen reale të vlerave të jashtëzakonshme universale (IUV) të rajonit, hipokrizia e institucioneve që një gjë thonë apo shkruajnë dhe diçka krejt tjetër bëjnë dhe vendosja e disa interesave të tjera, mbi ato që duhet të kenë prioritet, tregohen në veprim. Pjesa shqiptare e rajonit u përfshi në listë vetëm katër vite më parë, por dobësitë në terren u shfaqën shumë shpejt. Çfarë mund të presim me bartës të tillë të funksioneve shtetërore dhe lokale, si në anën maqedonase ashtu edhe në atë shqiptare?

Shpresojmë që aktivistët dhe organizatat nga pala shqiptare të kenë reaguar tashmë ndaj këtyre aktiviteteve ndërtimore dhe do të bëjnë përpjekje për të ndaluar shkatërrimin e mëtejshëm të mjedisit. Ne ndajmë disa nga fotot e publikuara vetëm për të parë shkallën e uzurpimit të natyrës. Në njoftim, kryeministri shqiptar nuk tregoi nëse janë konsultuar ekspertë apo institucione përkatëse shkencore përpara fillimit të këtyre aktiviteteve, nëse është bërë një vlerësim ekspert i ndikimit në mjedis se çfarë ndikimi do të ketë mbi speciet e tjera shtazore dhe bimore.

Së fundmi, në një takim me disa organizata dhe aktivistë nga Pogradeci, Tushemishti dhe Tirana, na u dha një informacion shqetësues. Në prapaskenë po krijohet hapësira për projekte të tilla, edhe pse shteti është zotuar se do ta mbrojë atë pjesë të Rajonit të Ohrit. Fondacioni AADF u përmend si iniciator i këtyre aktiviteteve. Jo më kot UNESCO këmbëngul për ligje të harmonizuara mes dy vendeve dhe një plan integral për menaxhimin e rajonit, në mënyrë që prona të ketë të njëjtën shkallë mbrojtjeje, pavarësisht se në territorin e kujt ndodhet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.