Gjiknuri është kurbani i radhës
Berisha: Shkallmimi i Ramës lidhet me lajmin se po hapet dosja McGonigal!
Ish-kryeministri dhe kreu i opozitës, Sali Berisha, ka reaguar në rrjetet sociale duke deklaruar se kryeministri Edi Rama ndodhet nën presion të madh për shkak të rihapjes së çështjes McGonigal.
“Shkallmimi i Ramës lidhet me lajmin se dosja McGonigal po hapet! Ndërkohë Rama përgatit Gjiknurin si kurbanin e radhës! Po Gjiknuri…!?” – shkruan Berisha në postimin e tij.
Berisha ka akuzuar më parë Damian Gjiknurin për përfshirje në këtë aferë, duke pretenduar se ai ka financuar festat e bixhozit të djalit të presidentit amerikan Joe Biden. Sipas Berishës, Gjiknuri është lakuar si një nga njerëzit që mund të sakrifikohet për të shpëtuar Ramën nga implikimet e dosjes McGonigal.
Për të mbështetur pretendimet e tij, Berisha ka publikuar edhe një video të gazetarit amerikan John Schindler, i cili thekson se ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal, ka marrë shuma të mëdha parash nga Shqipëria, falë lidhjeve me kryeministrin Rama.
“Ndërsa McGonigal është në burg, korruptori i tij, Edi Rama, vazhdon të jetë i lirë,” shkruan Berisha, duke lënë të kuptohet se hetimet mund të çojnë edhe më lart në zinxhirin e përgjegjësisë.
Çështja McGonigal ka qenë një nga temat më të diskutuara në politikën shqiptare dhe ndërkombëtare, pasi ish-zyrtari i FBI-së u arrestua dhe u dënua për përfshirje në korrupsion ndërkombëtar. Megjithatë, deri më tani, drejtësia nuk ka ndërmarrë hapa konkretë kundër Ramës, pavarësisht akuzave të opozitës.
Mbetet për t’u parë nëse zhvillimet e fundit do të sjellin ndonjë përmbysje të madhe në skenën politike shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



