GJKKO kalon për gjykim dosjen e Erion Veliajt
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur që çështja penale ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 28 personave të tjerë të kalojë për shqyrtim gjyqësor. Vendimi vjen një vit pas arrestimit të Veliajt dhe shënon hyrjen e dosjes në fazën e gjykimit në themel.
Seanca e sotme është shoqëruar me bojkot nga ana e mbrojtjes ligjore. Avokatët e të pandehurve kanë deklaruar se nuk kanë marrë pjesë në seancë, duke pretenduar shkelje të rënda të procesit të rregullt ligjor gjatë fazës paraprake. Sipas tyre, parregullsitë procedurale të konstatuara në seancat e mëparshme cenojnë të drejtat e mbrojtjes dhe standardet e një procesi të drejtë.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt të vitit të kaluar, nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai dhe bashkëshortja e tij dyshohet se ngritën një skemë të strukturuar për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet publike të Bashkisë së Tiranës dhe nga pagesa të dyshuara ryshfeti nga kompani kontraktore.
Hetuesit pretendojnë se përmes një rrjeti kompanish dhe organizatash jofitimprurëse, janë përfituar rreth 1 milion euro, të cilat dyshohet se janë përdorur kryesisht për shpenzime personale dhe blerje luksoze në internet. Këto pretendime janë kundërshtuar nga mbrojtja, e cila i ka cilësuar akuzat të pabazuara.
Gjatë kësaj periudhe, kërkesat e Veliajt për ndryshim të masës së sigurisë janë rrëzuar nga gjykatat në të gjitha shkallët. Ai vijon të qëndrojë në qeli, ndërsa procesi pritet të hyjë në një fazë të re me nisjen e gjykimit.
Në plan institucional, më herët Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës, duke e konsideruar atë në kundërshtim me Kushtetutën. Megjithatë, kjo nuk ka ndikuar në vijimin e procedurave penale ndaj tij.
Procesi gjyqësor ndaj Veliajt dhe të pandehurve të tjerë pritet të jetë një nga çështjet më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare, me interes të lartë publik dhe politik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



