GJKKO lë në burg 2 bashkëpunëtorët e Ergys Agasit
Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Fatjon Kalluçin dhe Embro Sulejmanin, të dy të dyshuar në kuadër të hetimeve për çështjen që lidhet me SHISH-in dhe biznesmenin Ergys Agasi.
Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimi, të dy personat dyshohet se kanë ndihmuar Agasin gjatë periudhës kur ai ndodhej në arrati.
Një prej tyre është Embro Sulejmani, i cili është arrestuar në Durrës. Nga hetimet ka rezultuar se Sulejmani punonte si kryekamerier në një lokal që ndodhet pranë rezidencës qeveritare, një ambient ku, sipas materialeve të hetimit, frekuentohej edhe nga Ergys Agasi.
Pozicioni i tij në këtë ambient është bërë pjesë e verifikimeve të autoriteteve, ndërsa hetuesit kanë ngritur dyshime mbi rolin që ai mund të ketë pasur në ndihmën e dhënë Agasit gjatë kohës që biznesmeni i kërkuar ndodhej jashtë duarve të drejtësisë.
Në fokusin e hetimit ka dalë edhe Fatjon Kalluçi, i cili mban detyrën e shefit të Laboratorit Shkencor në Policinë e Shtetit. Emri i tij është përfshirë në dosjen hetimore, pasi dyshohet se ka pasur rol në ndihmën që i është ofruar Ergys Agasit.
Për të dy të dyshuarit, Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar më tej rrethanat, kontaktet dhe rolin e secilit në ngjarjet që lidhen me qëndrimin e Agasit në arrati.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




