GJKKO nuk lëshon pe për telefonat në sallën e gjyqit
Avokatët të përdorin laptopët
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, ka reaguar këtë të enjte ndaj kërkesës së Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë për rishikimin e rregullit që ndalon mbajtjen e telefonave në sallat ku zhvillohen seancat gjyqësore.
Në përgjigjen e saj, GJKKO sqaron se ndalimi i përdorimit dhe mbajtjes së telefonave lidhet drejtpërdrejt me ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore.
Sipas gjykatës, bëhet fjalë për një masë që nuk zbatohet vetëm ndaj avokatëve, por në mënyrë të njëjtë ndaj të gjitha subjekteve që marrin pjesë në procedurë.
GJKKO nënvizon se rregulli përfshin edhe gjyqtarët dhe prokurorët, duke e konsideruar këtë një mënyrë për të garantuar trajtim të barabartë dhe neutralitet institucional gjatë seancave.
Sa i përket nevojave të avokatëve për mbajtjen e shënimeve apo për kryerjen e veprimeve të nevojshme procedurale, gjykata thekson se ata mund të përdorin kompjuterin portativ brenda sallës së gjykimit.
Në këtë mënyrë, GJKKO argumenton se ndalimi i telefonave nuk pengon ushtrimin e funksioneve procedurale të avokatëve, pasi për nevojat e punës në seancë mbetet në dispozicion përdorimi i laptopit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



