Një Gjykatë në Britani ka rrëzuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks Julian Assange, për shkak të shëndetit mendor.
Assange akuzohet për spiunazh, por gjykatësja britanike Vanessa Baraitser tha se nëse ai ekstradohet ka gjasa të kryejë vetëvrasje në SHBA.
Qeveria amerikane tha se do ta apelojë vendimin.
Prokurorët amerikanë kanë ngritur 17 akuza ndaj Assange, përfshi spiunazhin dhe përdorimin e kompjuterit për botimin e dokumenteve ushtarake dhe diplomatike të publikuara nga WikiLeaks një dekadë më parë. Ai rrezikon një dënim maksimal prej 175 vjetësh.
Avokatët e 49-vjeçarit australian argumentojnë se Assange po vepronte si gazetar, ndaj është i mbrojtur nga amendamenti i parë për lirinë e fjalës.



