Gjykata e Apelit në Selanik vendos të ekstradoj Ilir Shtufin
Gjykata e Apelit në Selanik ka dhënë dritën jeshile për ekstradimin drejt Shqipërisë të një biznesmeni shqiptar 53-vjeçar, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për akuzën e pastrimit të parave. Vendimi vjen në zbatim të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare.
Edhe pse mediat greke nuk publikojnë identitetin e plotë të tij, burime jozyrtare sugjerojnë se bëhet fjalë për Ilir Shtufin. Ai u arrestua rreth një muaj më parë në Selanik, gjatë qëndrimit në një hotel, pa qenë – sipas deklarimeve të tij – në dijeni të procedimeve penale që rëndonin mbi të në Shqipëri.
The Greek Times shkruan se gjatë seancës gjyqësore, mbrojtja kundërshtoi kërkesën për ekstradim, duke argumentuar se akuzat janë të paqarta dhe të motivuara politikisht. Vetë 53-vjeçari pretendoi se aktiviteti i tij është i lidhur me biznesin që prej vitit 1994, duke theksuar se administron një numër të konsiderueshëm kompanish në sektorët e ndërtimit dhe energjisë në Shqipëri.
Ai deklaroi se është ndër kontribuuesit e rëndësishëm në sistemin fiskal dhe hodhi poshtë çdo lidhje me veprimtari të paligjshme. Sipas tij, akuzat lidhen me qëndrime politike dhe përfshirje të pretenduar në mbështetje të opozitës, çka sipas tij përbën një formë presioni dhe persekutimi.
Pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata e Apelit në Selanik vendosi në favor të autoriteteve shqiptare, duke miratuar ekstradimin. Gjatë shqyrtimit, gjykata u fokusua vetëm në përmbushjen e kushteve ligjore për ekstradim, pa hyrë në thelbin e akuzave.
Biznesmeni ka ende të drejtën për të kundërshtuar këtë vendim në instanca më të larta gjyqësore në Greqi, duke kërkuar rishqyrtimin e çështjes nga Gjykata e Lartë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



