Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn
Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Erion Veliajt për ndryshimin e vendimeve të gjykatave të posaçme, duke lënë në fuqi masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
Vendimi është marrë këtë të martë, më 15 shtator 2026, nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i cili e shqyrtoi çështjen në Dhomë Këshillimi.
Veliaj kishte kërkuar shfuqizimin e disa vendimeve të dhëna më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, Gjykata e Posaçme e Apelit dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, që lidhen me masën e sigurisë të caktuar ndaj tij.
Pas shqyrtimit të dosjes, Kolegji Penal vendosi të mos e pranojë kërkesën dhe të lërë në fuqi vendimin nr. 13, datë 13 mars 2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vendimi i Gjykatës së Lartë është marrë në bazë të nenit 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale.
Në dosjen e shqyrtuar, Erion Veliaj figuron si kërkues, ndërsa palë e interesuar është Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kërkesa e tij synonte rrëzimin e vendimeve të datës 9 shkurt 2025 dhe 12 shkurt 2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, vendimit të Apelit të Posaçëm të 13 marsit 2025, si dhe një vendimi të mëparshëm të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të datës 8 korrik 2025.
Me vendimin e sotëm, Gjykata e Lartë konfirmon vendimin e Apelit të Posaçëm dhe, për rrjedhojë, masa e sigurisë ndaj Veliajt mbetet në fuqi.
Vendimi:
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i mbledhur në datë 15 shtator 2026, në Dhomë Këshillimi, mori në shqyrtim dosjen penale me palë: Kërkues: Erion Veliaj, Palë e Interesuar: Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe objekt: Shfuqizimin e vendimeve nr. 7, dt. 09.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftesuar permes vendimit nr. 14, dt. 12.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 13, dt. 13.03.2025, te Gjykates se Posacme te Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2025-1153 (176), dt. 08.07.2025, te Kolegjit Penal te Gjykates se Larte. Shpenzimet gjyqesore ne ngarkim te subjektit te interesuar.
Pasi shqyrtoi çështjen, Kolegji, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: Lënien në fuqi të Vendimit nr.13 (87-2025-85), datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



