Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimin, Edison Memolla mbetet në burg
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-kryebashkiakut të Rrogozhinës, Edison Memolla, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme që e dënon atë me 1 vit burg.
Vendimi është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga Genti Shala në cilësinë e relatorit, si dhe anëtarët Ilir Panda dhe Albana Boksi.
Me këtë vendim, mbyllet përfundimisht rruga ligjore për Memollën, i cili ishte shpallur fajtor nga dy shkallë gjyqësore për veprën penale të korrupsionit në zgjedhje.
Ish-kryebashkiaku aktualisht ndodhet në burgun e Rrogozhinës, ku po vuan dënimin. Pas shpalljes së vendimit nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 9 shkurt 2026, ai u vetëdorëzua në polici dhe më pas u transferua në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Çështja ndaj Memollës është një nga rastet e pakta ku një zyrtar i zgjedhur vendor dënohet për korrupsion zgjedhor, duke e kthyer këtë vendim në një precedent të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në vend.
Vendimi i Gjykatës së Lartë konfirmon qëndrimin e mëparshëm të gjykatave më të ulëta dhe konsiderohet një sinjal i fortë në luftën kundër krimeve zgjedhore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



