Vetëdorëzohet në polici kryebashkiaku socialist Edison Memolla
Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, është vetëdorëzuar në Policinë e Kavajës për të vuajtur dënimin me burg, pasi u shpall fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Vendimi ndaj tij u dha nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila e dënoi Memollën me 1 vit burgim për veprën penale të kryer në bashkëpunim. Krahas dënimit me heqje lirie, gjykata vendosi edhe një masë plotësuese: ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.
Sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Memolla kishte ndërhyrë pranë një elektricisti, Blerim Xhamani, me qëllim që këtij të fundit të mos i ndërpritej energjia elektrike një abonenti debitor. Hetimet pretendojnë se ndërhyrja synonte përfitim elektoral, duke ndikuar që një qytetare të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022, kur Memolla garonte nën siglën e Partisë Socialiste.
Me vetëdorëzimin në polici, pritet që të nisin procedurat për ekzekutimin e vendimit të formës së prerë, ndërsa dënimi sjell automatikisht ndërprerjen e mandatit të tij si kryetar bashkie dhe ndalimin e rikthimit në funksione publike për pesë vitet e ardhshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



