E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën për Berishën
Lajme

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën për Berishën

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e deputetëve të PD-së që kërkonin një interpretim të nenit 73 të Kushtetutës mbi kompetencat e SPAK në raport me kufizimin e lëvizjes së deputetëve, ose masat e sigurisë ndaj tyre.

Vendimi i Kushtetueses ka ardhur një ditë para se Kuvendi të miratojë ose jo në seancë plenare autorizimin që i jep të drejtë SPAK-ut të vendosë arrest me burg ose shtëpie ndaj kreut demokrat Sali Berisha, i cili po hetohet me akuzën e korrupsionit, lidhur me procedurat e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, kërkesa e depozituar nga deputetët e opozitës nuk plotëson kriteret.

“Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi mos kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, ndaj pretendimet e kërkuesit dhe kërkesa për pezullimin e masave të sigurimit nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre”, thuhet midis të tjerash në vendim.

Rreth 30 deputetë të opozitës kërkuan nga Gjykata Kushtetuese të interpretojë kompetencat e SPAK dhe të Kuvendit në rastet kur kufizohen të drejtat e një deputeti. Gjithë debati lindi pasi SPAK caktoi dy masa ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit, të cilat u konsideruan si anti-Kushtetuese nga Berisha, pasi më parë SPAK nuk kishte marrë autorizim nga Kuvendi.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, demokratët kërkonin të zgjidhnin konfliktin e kompetencave ligjore mes SPAK dhe Kuvendit, “për sa i përket heqjes ose kufizimit të lirisë ndaj një Deputeti, në të gjitha format, kur këto kufizime të lirisë kryhen nga pushteti gjyqësor pa pyetur, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e shprehur të Kuvendit”.

Po ashtu, në padi thuhet se duhet të shpallen të papajtueshme me kushtetutën masat e marra nga SPAK për Berishën, në lidhje me privatizimin e kompleksit “Partizani”, pasi nuk ishte marrë më herët autorizimi nga Kuvendi. Deputetët demokratë kërkuan gjithashtu pezullimin e të gjitha masave të marra ndaj Berishës, derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese.

Prokuroria e Posaçme i kërkoi më 12 dhjetor, Kuvendit autorizimin për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Sali Berishës në atë të “arrestit në shtëpi”, pasi ish-kryeministri nuk zbatoi vendimin e detyrimit me paraqitje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.