Gjyqtarët dhe prokurorët që kaluan Vettingun me aftësi mininale profesionale
Kontrolli i pasurisë është një ndër tre kriteret kyçe të procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë. Megjithatë, ky kriter është testuar si më efikasi në praktikën e deritanishme të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke rrëzuar shumicën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga sistemi. Një analizë e vendimeve të arsyetuara të KPK-së tregon megjithatë se vendimet e shkarkimit përmbajnë shkelje në të paktën dy prej pikave të nenit 61 të ligjit “për rivlerësimin kalimtar…”. “Deklarimi i pamjaftueshëm” ka penalizuar të tetë gjyqtarët dhe prokurorët, për të cilët Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka publikuar vendimet e arsyetuara në faqen e vet zyrtare.
Në shumicë, subjektet e vetingut janë ndëshkuar edhe për “cënim të besimit të publikut te drejtësia”, ndërsa një numër më i vogël kanë rezultuar me pasuri sa dyfishi i asaj që mund të argumentonin ligjërisht. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë vlerësime edhe për zyrtarët që i mbijetuan procesit. Për 3 nga 12 gjykatësit e prokurorët e konfirmuar, KPK ka dhënë vlerësim minimal të aftësive profesionale, në katër raste vlerësimi ka qenë maksimal, ndërsa në rastet e tjera subjekti është cilësuar “i pranueshëm” apo “i mjaftueshëm”, raporton BIRN.
Procesi i vetingut apo i rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve në vend filloi në muajin mars të këtij viti me seancat dëgjimore për 57 subjektet e listës prioritare, përfshi kandidatë për institucionet e reja të drejtësisë dhe anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pas 48 seancash dëgjimore deri në fillim të gushtit janë shkarkuar 21 gjyqtarë dhe prokurorë dhe janë rikonfirmuar në detyrë 27 subjekte. Megjithatë, një pjesë e mirë e vendimeve të shkarkimit janë apeluar nga gjykatësit dhe prokurorët në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA). Po ashtu, edhe disa prej konfirmimeve nga KPK janë apeluar nga Komisioneri Publik edhe me këmbënguljen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, përfshi këtu edhe konfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Deri tani KPA ka marrë dy vendime në dhomë këshillimi pa i dërguar çështjet në seancë gjyqësore, duke i dhënë formë të prerë shkarkimit të ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo dhe ish-anëtarit të Gjykatës së Apelit Durrës Besim Trezhnjeva.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



