Goditen 8 dyqane në Tiranë për mallra falso dhe kontrabandë
Një aksion i befasishëm i autoriteteve ka tronditur tregun e veshjeve “luksoze” në kryeqytet, duke vënë në shënjestër disa nga dyqanet më të frekuentuara nga influencerët në rrjetet sociale. Operacioni i koduar “Illegal Trade” ka çuar në hetimin e tetë subjekteve në Tiranë, mes tyre edhe dyqane të njohura si Prive Brands dhe Zabo Garden, ku dyshohet se tregtoheshin produkte pa dokumentacion të rregullt për origjinën dhe zhdoganimin.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar dhjetëra pajisje dhe artikuj të dyshuar si të kontrabanduara. Konkretisht, janë marrë 16 telefona celularë, 10 njësi kompjuterike, një laptop, si dhe 11 çanta dhe veshje të markave të njohura që nuk shoqëroheshin me dokumente që provonin origjinën e tyre.
Hetimet nuk janë kufizuar vetëm te dyshimet për mallra falso apo kontrabandë. Autoritetet kanë evidentuar edhe shkelje të tjera, përfshirë mosdeklarimin e të ardhurave nga shitjet. Në një rast, një subjekt është pezulluar pasi ushtronte aktivitet tregtar pa lëshuar kupon tatimor, duke shkelur rregullat fiskale në fuqi.
Në përfundim të fazës së parë të operacionit, janë proceduar penalisht 9 administratorë dhe përfaqësues të subjekteve të përfshira, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse pas këtij aktiviteti fshihet një rrjet më i gjerë i tregtimit të produkteve të kundërligjshme.
Ky zhvillim ka ndezur diskutime të forta edhe në rrjetet sociale, sidomos mes influencerëve që shpesh promovojnë produkte “firmato”. Tashmë mbetet për t’u parë se ku do të sigurohen artikujt e luksit për postimet dhe videot e ardhshme që mbushin Instagramin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



