Goditen lojërat e fatit në Has, në pranga punonjësi i lokalit
Pronari në kërkim
Një aktivitet i dyshuar i paligjshëm i lojërave të fatit është zbuluar në Krumë të Hasit, ku policia ka arrestuar një 47-vjeçar, ndërsa pronari i lokalit është shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit të koduar “Pokeri”, efektivët e Komisariatit të Policisë Has, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, kanë ndërhyrë në ambientet e lokalit pas informacioneve të siguruara për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
Në pranga ka rënë A. D., 47 vjeç, banues në Krumë, i cili punonte në ambientet ku dyshohet se zhvilloheshin lojërat e fatit. Ndërkohë, policia po kërkon E. Q., 34 vjeç, gjithashtu banues në Krumë, që rezulton të jetë pronari i lokalit.
10 makineri “APEX” dhe tavolinë pokeri, provat e sekuestruara
Gjatë kontrollit, uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar 10 makineri elektronike të markës “APEX”, një tavolinë pokeri dhe një aparat celular.
Në cilësinë e provës materiale janë marrë edhe disa fletore, ku dyshohet se regjistroheshin shumat e parave të luajtura. Këto materiale pritet të shërbejnë për dokumentimin e aktivitetit që dyshohet se zhvillohej në lokal.
Hetimet vijojnë për kapjen e pronarit të shpallur në kërkim dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës. Çështja lidhet me dyshimet për veprat penale të fshehjes së të ardhurave, mospagimit të taksave dhe tatimeve, organizimit ose ushtrimit të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, si dhe vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



