“Kanë fituar mbi 50 mln euro”
Prokuroria e Tiranës ka zbardhur detaje nga një hetim i thelluar dyvjeçar që çoi në goditjen e një rrjeti të mirëorganizuar call center-ash mashtrues, të cilët dyshohet se kanë përfituar mbi 50 milionë euro duke mashtruar qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian.
Operacioni u realizua në bashkëpunim me autoritetet austriake, si dhe me mbështetjen e strukturave ndërkombëtare si Eurojust dhe Europol, ndërsa në terren u angazhua edhe sektori i krimit kibernetik në Policinë e Shtetit. Si rezultat, gjykata ka vendosur masën “arrest me burg” për 7 persona, ndërsa për 2 të tjerë janë caktuar masa më të buta si “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Po ashtu, 5 persona janë arrestuar në flagrancë gjatë ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm.
Sipas hetimeve, të dyshuarit operonin në mënyrë të strukturuar, të ndarë në grupe sipas gjuhëve të huaja si gjermanisht, anglisht dhe italisht, duke synuar tregje të ndryshme europiane. Çdo grup përbëhej nga disa operatorë dhe drejtohej nga një mbikëqyrës, duke funksionuar si një kompani e mirëorganizuar.
Një nga skemat më të përdorura ishte kontakti me qytetarë italianë, të cilëve u premtohej rikuperimi i humbjeve nga investime të mëparshme në “trading online”. Pasi fitonin besimin e tyre, i bindnin të hapnin një llogari në platforma të dyshimta dhe të depozitonin një shumë fillestare prej 500 eurosh. Operatorët kishin si detyrë vetëm bindjen e viktimave për këtë pagesë, ndërsa pagesat e tyre mujore arrinin rreth 800 euro.
Hetimet kanë zbuluar se punonjësit përdornin identitete të rreme dhe llogari me pseudonime, ndërsa aktiviteti i tyre ishte i organizuar në mënyrë hierarkike. Ky model funksionimi ka mundësuar realizimin e mashtrimeve në shkallë të gjerë dhe në mënyrë ndërkufitare, kryesisht në Austri, gjatë periudhës qershor 2023 – korrik 2024.
Prokuroria thekson se viktimat josheshiin shpesh përmes reklamave të rreme ku përdoreshin figura të njohura publike, duke i bindur se paratë e tyre do të investoheshin në mënyrë të sigurt. Në realitet, këto fonde përfundonin në llogari të kontrolluara nga organizatorët e skemës.
Nga hetimet financiare rezulton se dy prej të dyshuarve kanë përfituar shuma të konsiderueshme në kriptovaluta, të cilat më pas i transferonin në adresa të tjera, duke u identifikuar si përfitues fundorë të skemës.
Në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore të ngritur në vitin 2025 mes autoriteteve shqiptare dhe atyre austriake, u dokumentuan transaksione të shumta në dëm të qytetarëve austriakë. Gjithashtu, disa subjekte të regjistruara rezultojnë të lidhura mes tyre dhe dyshohet se kanë shërbyer si mbulesë për aktivitetin e call center-ave, duke operuar në shumë raste në mënyrë fiktive.
Gjatë kontrolleve të ushtruara, autoritetet sekuestruan një sasi të konsiderueshme provash dhe pasurish, përfshirë mbi 891 mijë euro cash, qindra kompjuterë dhe telefona celularë, si dhe pajisje të tjera elektronike që dyshohet se përdoreshin në funksion të mashtrimit.
Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë dhe për të zbardhur plotësisht shtrirjen e kësaj skeme të sofistikuar mashtrimi.
Njoftimi:
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, në bashkëpunim me autoritetet austriake, mbështetjen e Eurojust, EUROPOL dhe drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, u bë e mundur goditja e disa call-center-ave në Tiranë, që çuan në dhënien e masave të sigurimit ‘Arrest me burg’ për 7 persona, “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” për 2 shtetas, dhe u arrestuan në flagrancë, në kushtet e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm, 5 persona.
Në vijim të hetimeve 2-vjeçare mbi procedimin penal nr.3377 për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b, parag. II, i Kodit Penal, ndaj shtetasve E.D., M.H., T.A., L.T., Xh.M., M.L., Xh.H., A.B., L.C., K.D., E.H., E.T., B.B., K.B., K.Sh dhe A.K., rezultoi se pas informacioneve të marra nga autoritetet Austriake, këta shtetas mashtronin nëpërmjet aktivitetit të call-center-ave shtetas të ndryshëm të vendeve të Bashkimit Europian duke ju shkaktuar humbje të mëdha financiare.
Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin ndaheshin në grupe të ndryshme sipas gjuhëve (gjermanisht, anglisht, italisht) dhe synonin tregje të caktuara ndërkombëtare. Çdo grup përbëhej nga 6-8 agjentë dhe mbikëqyrej nga drejtuesi që i monitoronte. Puna e personave që zotëronin gjuhën Italiane, konsistonte në kryerjen e telefonatave të qytetarëve Italianë ku i ofronin shërbimin e rekuperimit të parave, të cilat i kanë humbur në investime të mëparëshme në ‘trading online’ dhe në rast se personat ishin të interesuar, i udhëzonin më pas të hapnin një llogari në “Coin Baze”, me depozitim fillestar 500 Euro. Detyra e operatorëve ishte vetëm të bindnin klientët për të bërë pagesën fillestare prej 500 Euro dhe paga mujore e tyre ka qenë rreth 800 euro, të cilën një pjesë e merrnin në dorë dhe pjesën tjetër në bankë. Secili prej punonjësve kishte username dhe vepronin me pseudonime.
Këto call-center-a funksiononin me një nivel të lartë organizimi, ndarje të qartë të detyrave dhe kontroll hierarkik, duke i ngjarë strukturave të bizneseve legjitime. Ky organizim profesional mundësonte mashtrime në shkallë të gjerë, ndërkufitare dhe dyshohet se kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga periudha 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.
Personat e mësipërm dyshohet se kanë nxitur qytetarët e dëmtuar, nëpërmjet paraqitjes së rrethanave të rreme, për të besuar se shumat e transferuara do të investoheshin realisht. Si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme, autorët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë, për vete ose për llogari të personave të tretë, pasi të dëmtuarit, për shkak të mashtrimit, kanë transferuar shuma të konsiderueshme parash, të cilat në total vlerësohet se tejkalojnë shumën prej 50 milionë euro.
Të dëmtuarit zakonisht hyjnë në këto platforma mashtruese përmes një reklame të rreme të një personazhi të famshëm. Prokuroria identifikoi se shtetasit T.A. dhe M.H., gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa Kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera Kripto. Këta dy shtetas janë përfitues fundor të kriptovalutave të këtyre Call Centerave.
Skuadra e përbashkët hetimore e krijuar në shtator 2025, midis Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Prokurorisë së Vjenës, arriti të dokumentojë transaksionet e kryera në dëm të shtetasve austriakë të dëmtuar. Nga hetimet rezultoi se subjektet, “IOTA Network”, “Victory Communication”, “Espiron Studio”, “Zeta Studio”, “Upstream creative” dhe “Koppa Network” janë të lidhur me njëri-tjetrin si nga numri i telefonit i lënë në QKB, adresat e e-mailit dhe adresat e ushtrimit të aktiviteteve dhe në pjesën më të madhe dyshohet se janë fiktive dhe kanë operuar si call-center-a. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto skema mashtruese.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë gjatë kontrolleve në subjektet e mësipërme u sekuestruan:
891,735 euro;
443 kompjuterë;
238 telefona celularë;
6 laptop; dhe
HDD, DVR.







