Shqipëria dhe Italia forcojnë aleancën kundër krimit të organizuar

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Hita dhe Bucossi dakordësojnë hapa konkretë

Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve italiane hyn në një fazë të re, me fokus të qartë luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim zyrtar me Drejtorin e Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor në Itali, Lorenzo Bucossi, ku në qendër ishte forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes dy policive.

Gjatë takimit, Hita vlerësoi nivelin aktual të bashkëpunimit dhe garantoi se ky partneritet shumëdimensional do të intensifikohet edhe më tej, duke e konsideruar atë një model suksesi për rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Nga ana tjetër, Bucossi shprehu vlerësimin për angazhimin dhe vizionin e drejtuesit të ri të Policisë së Shtetit, duke e ftuar atë për një vizitë pune në Itali, në funksion të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit.

Në fokus të diskutimeve ishin prioritetet hetimore dhe operacionale, përfshirë shkëmbimin e informacionit në kohë reale dhe koordinimin e aksioneve të përbashkëta kundër rrjeteve kriminale. Një vëmendje e veçantë iu kushtua luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe goditjes së rrjeteve të trafikut të paligjshëm.

Palët diskutuan gjithashtu vijimin e operacioneve të përbashkëta për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, duke rritur efikasitetin e bashkëpunimit ndërkufitar.

Një tjetër pikë e rëndësishme ishte koordinimi gjatë sezonit turistik, ku prania e efektivëve italianë në qytete si Durrës dhe Vlorë do të vijojë, në mbështetje të Policisë së Shtetit, për garantimin e sigurisë së pushuesve vendas dhe të huaj.

Në kuadër të forcimit të kapaciteteve profesionale, u ra dakord edhe për zgjerimin e bashkëpunimit mes akademive të policisë, duke përfshirë mundësinë që një efektiv shqiptar të ndjekë studimet në akademinë e policisë në Itali.

Në këtë takim morën pjesë edhe drejtues të lartë të strukturave policore nga të dy vendet, mes tyre Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi, si dhe përfaqësues të policisë italiane dhe të sigurisë në ambasadën italiane në Shqipëri.

Publikuar nga Publik Media