Goditje për Fredi Belerin, eurodeputeti dështon në Kushtetuese
Vuloset përfundimisht dënimi i tij
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur të mos kalojë për shqyrtim në seancë plenare ankimimin e Fredi Belerit, duke i dhënë një goditje përfundimtare përpjekjeve të tij ligjore për të rrëzuar dënimin penal.
Vendimi është marrë nga Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, i cili rrëzoi kërkesën për shfuqizimin e vendimeve të mëparshme të Gjykatës së Posaçme të Apelit (korrik 2024) dhe Gjykatës së Lartë (korrik 2025). Me këtë zhvillim, konsiderohet se Belerit i është mbyllur çdo rrugë ligjore brenda sistemit të drejtësisë shqiptare.
Ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, aktualisht eurodeputet në Parlamentin Evropian si përfaqësues i Greqisë, u arrestua në maj të vitit 2023, vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve vendore, nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Ai u dënua me 2 vite burgim nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pasi u provua se kishte ofruar para në këmbim të votave për bashkinë e Himarës.
Edhe pse arriti të fitojë zgjedhjet nga qelia, Beleri nuk u lejua të betohej si kryebashkiak dhe më pas humbi mandatin. Aktualisht, ai ushtron detyrën si eurodeputet, pasi u zgjodh nën siglën e partisë “Demokracia e Re” në Greqi.
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se nuk janë konstatuar shkelje të procedurave kushtetuese gjatë procesit gjyqësor ndaj tij, duke lënë në fuqi verdiktin e drejtësisë shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



