Grabitet apartamenti i kreut të FSHZH, Dritan Agolli s’bën denoncim
Zhduken shuma parash, ora floriri me diamante, bizhuteri dhe piktura
Një grabitje e pazakontë dhe e mbuluar me mister dyshohet të ketë ndodhur së fundmi në një apartament në Tiranë, i cili përdorej nga drejtuesi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Sipas burimeve, nga banesa janë marrë shuma të konsiderueshme parash në valutë, bizhuteri me vlerë të lartë, si dhe aksesorë luksi, përfshirë ora floriri të zbukuruara me diamante.
Ajo që e bën edhe më të dyshimtë këtë ngjarje është fakti se deri më tani nuk rezulton të jetë bërë asnjë kallëzim zyrtar pranë autoriteteve ligjzbatuese, pavarësisht dëmit të madh ekonomik që pretendohet të jetë shkaktuar.
Të dhënat paraprake sugjerojnë se prona ku ka ndodhur grabitja figuron e regjistruar në emër të një biznesmeni të njohur, çka shton pikëpyetje mbi përdorimin real të saj dhe rrethanat e incidentit.
Burime pranë zonës bëjnë të ditur se autorët mund të kenë pasur informacion të detajuar mbi ambientin dhe sendet me vlerë që ndodheshin brenda, duke ngritur dyshime për një bashkëpunim të mundshëm ose rrjedhje informacioni nga persona të afërt.
Dyshimet për këtë pistë përforcohen edhe nga fakti se disa sende të vlefshme, përfshirë një orë floriri, janë gjetur nga banorë të pallatit në hapësirat përreth, çka sugjeron një largim të nxituar të autorëve nga vendngjarja.
Ngjarja mbetet ende e paqartë në shumë detaje, ndërsa mungesa e reagimit zyrtar vijon të ushqejë spekulime mbi përmasat reale dhe arsyet e heshtjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



