E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tan Agolli i FSHZH i jep 8.8 milionë € Çim Fushës për bregun e Durrësit
Lajme

Tan Agolli i FSHZH i jep 8.8 milionë € Çim Fushës për bregun e Durrësit

5 oferta më të lira skualifikohen

Fondi Shqiptar i Zhvillimit vijon të vendosë në qendër të vëmendjes marrëdhënien e tij me kompaninë “Fusha”, e drejtuar nga biznesmeni Shkëlqim Fusha. Institucioni që drejtohet nga Dritan Agolli i ka dhënë kompanisë një tjetër kontratë me vlerë qindra milionë lekë, këtë herë për ndërhyrje në zonat tregtare dhe turistike përgjatë bregdetit të Durrësit.

Bëhet fjalë për një tender me fond limit rreth 833 milionë lekë, ose mbi 8.8 milionë euro, që parashikon rregullimin, përmirësimin estetik dhe zhvillimin e hapësirave tregtare e turistike përgjatë vijës bregdetare të Durrësit. Projekti do të realizohet në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe Bashkinë e Durrësit, ndërsa afati i zbatimit të kontratës është 18 muaj.

Në garë morën pjesë 8 operatorë ekonomikë, por procedura përfundoi me skualifikimin e pesë prej tyre. Në fund, kontrata iu dha kompanisë “Fusha”, e cila paraqiti një ofertë prej më shumë se 653 milionë lekësh.

Ajo që ngre pikëpyetje mbi procedurën është fakti se pesë subjektet e skualifikuara kishin paraqitur oferta më të ulëta se kompania që u shpall fituese.

Sipas ofertave të paraqitura në tender, diferencat ishin të konsiderueshme. “G.P.G. COMPANY” kishte ofruar rreth 113.7 milionë lekë më pak se “Fusha”. Bashkimi i operatorëve “ERGI” dhe “BE – IS” kishte paraqitur një ofertë rreth 87.4 milionë lekë më të ulët, ndërsa bashkimi “PE – VLA – KU” dhe “BIBA-X” rreth 64.5 milionë lekë më pak.

Edhe bashkimi i kompanive “KUPA”, “NDREGJONI” dhe “STERKAJ” kishte ofruar rreth 57.8 milionë lekë më pak se fituesi. Ndërkohë, “AGI KONS” kishte paraqitur një ofertë rreth 21.5 milionë lekë më të ulët.

Pra, nëse do të merrej si kriter vetëm vlera e ofertës, diferencat mes kompanisë fituese dhe subjekteve të skualifikuara do të përktheheshin në një kursim të konsiderueshëm për fondet publike.

Por të pesë kompanitë u skualifikuan për të njëjtin argument. Komisioni i vlerësimit iu referua pikës 2.3.1 të Kritereve të Veçanta të Kualifikimit, duke arsyetuar se subjektet nuk kishin dëshmuar “përvojë të suksesshme në punë të ngjashme”.

Kështu, ofertat më të ulëta nuk vijuan në fazat e mëtejshme të garës dhe kompania “Fusha” mbeti në garë deri në shpalljen e fituesit.

Kjo kontratë shton edhe më shumë vëmendjen mbi kompaninë e Shkëlqim Fushës dhe marrëdhënien e saj me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. “Fusha” është prej vitesh një prej kompanive që ka përfituar kontrata të rëndësishme publike, ndërsa të dhënat e Open Data Albania e rendisin ndër subjektet që kanë marrë vlerën më të madhe të fondeve publike në Shqipëri gjatë viteve të fundit.

Në këtë kontekst, tenderi i fundit merr një tjetër dimension edhe për shkak të situatës ligjore që lidhet me biznesmenin Shkëlqim Fusha.

Fusha është marrë i pandehur nga SPAK në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria e Posaçme, biznesmeni përballet me akuzën për “korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur”.

Hetimet e SPAK kanë përfshirë edhe transaksione financiare dhe skema të dyshuara për kalimin ose kamuflimin e përfitimeve përmes organizatave jofitimprurëse të lidhura me bashkëshorten e kryebashkiakut.

Megjithatë, këto zhvillime nuk kanë penguar kompaninë “Fusha” të fitojë një tjetër kontratë të konsiderueshme me fonde publike. Në rastin konkret, bëhet fjalë për një projekt me vlerë mbi 8.8 milionë euro, ndërsa pesë kompani të tjera, që kishin paraqitur oferta më të ulëta, u përjashtuan nga gara për shkak të kritereve të kualifikimit.

Kjo e bën tenderin e bregdetit të Durrësit një tjetër procedurë që kërkon vëmendje mbi mënyrën se si u vlerësuan ofertat, arsyet e skualifikimeve dhe kriteret mbi bazën e të cilave u përzgjodh kompania fituese.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.