E diel, 8 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
“Gruaja e sëmurë, tre fëmijë të mitur”, si tentoi Ulian Shpataraku të fitonte lirinë
Lajme

“Gruaja e sëmurë, tre fëmijë të mitur”, si tentoi Ulian Shpataraku të fitonte lirinë

Ish-zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, Ulian Shpataraku, ka tentuar të bindë Gjykatën e Apelit të Posaçëm për zbutjen e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke vënë në fokus gjendjen shëndetësore të bashkëshortes dhe përgjegjësitë familjare. Megjithatë, argumentet e paraqitura nga mbrojtja nuk kanë bindur gjykatën, e cila ka rrëzuar kërkesën e tij.

Shpataraku, i arrestuar në kuadër të hetimeve për ndihmën që dyshohet se i ka dhënë Ergys Agasit gjatë kohës që ky i fundit ishte në arrati, paraqiti përmes avokatëve dy argumente kryesore për të kërkuar një masë më të butë sigurie.

Së pari, mbrojtja dorëzoi një raport mjekësor të datës 28 gusht 2026, të lëshuar nga Spitali Amerikan, me pretendimin se bashkëshortja e tij vuan nga probleme shëndetësore dhe nuk është në gjendje të kujdeset e vetme për tre fëmijët e mitur. Sipas avokatëve, vijimi i qëndrimit të ish-zyrtarit në burg do të sillte pasoja të rënda për familjen.

Në argumentet e paraqitura përpara trupit gjykues, mbrojtësit ligjorë theksuan gjithashtu se Shpataraku nuk ka mundësi të ndikojë në provat e hetimit, pasi ato tashmë janë administruar nga SPAK.

Një tjetër element që mbrojtja kërkoi të merrej në konsideratë ishte karriera e gjatë e tij në Policinë e Shtetit dhe sjellja e familjes në komunitet. Për këtë qëllim, avokatët paraqitën edhe një vërtetim të datës 28 gusht 2026, të lëshuar nga Njësia Administrative nr. 5 në Tiranë, për të mbështetur pretendimin se Shpataraku dhe familjarët e tij kanë pasur sjellje shembullore.

Pavarësisht këtyre argumenteve, Apeli i Posaçëm nuk e pranoi kërkesën për zbutjen e masës së sigurisë. Gjykata rrëzoi gjithashtu pretendimet e mbrojtjes për kalimin e çështjes për kompetencë në Prokurorinë e Durrësit.

Për rrjedhojë, Ulian Shpataraku vijon të qëndrojë në paraburgim, njësoj si Fation Kalluçi, ish-shef i Laboratorit të Policisë Shkencore. Ndërkohë, ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Nga personat e përfshirë në këtë çështje, i vetmi që ka mundur të largohet nga qelia është Embro Sulejmani. Ndaj tij janë caktuar masat e detyrimit për paraqitje dhe ndalimit të daljes jashtë vendit. Sipas argumenteve të paraqitura në proces, vendimi për masën më të butë u lidh me faktin se bashkëshortja e tij është shtatzënë dhe prindërit kanë probleme shëndetësore.

Çështja vijon të jetë pjesë e hetimeve që lidhen me dyshimet për ndihmën e dhënë Ergys Agasit gjatë periudhës së arratisë, ndërsa vendimet për masat e sigurisë ndaj personave të përfshirë mbeten në fuqi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.