E shtunë, 7 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gurë, flakë dhe ujë me autobot, përshkallëzohet protesta e studentëve
Lajme

Gurë, flakë dhe ujë me autobot, përshkallëzohet protesta e studentëve

Protesta e studentëve përpara Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar këtë të shtunë, duke u shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Situata është tensionuar ndjeshëm, pasi disa të rinj kanë hedhur gurë në drejtim të efektivëve dhe godinës së ministrisë, ndërsa një kosh mbeturinash është përfshirë nga flakët.

Përballë veprimeve të protestuesve, policia ka përdorur fillimisht spray me piper, ndërsa më pas ka nxjerrë në terren autobotin me ujë me presion, në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë një grup të rinjsh, disa prej të cilëve të maskuar, që qëllojnë me gurë në drejtim të uniformave blu. Ndërkohë, efektivët kanë komunikuar përmes megafonit, duke u bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Protesta nisi rreth orës 14:00 dhe është pjesë e lëvizjes studentore që prej disa javësh kundërshton qeverinë dhe kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama. Përveç tubimeve, studentët kanë vijuar edhe bojkotin e procesit mësimor.

Nga ana tjetër, Rama ka përsëritur publikisht ftesën për dialog me studentët, duke shprehur gatishmërinë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Megjithatë, kjo ofertë nuk ka sjellë deri tani një ndryshim në qëndrimin e protestuesve, të cilët vijojnë të këmbëngulin te kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit.

Në mbështetje të studentëve janë bashkuar edhe pedagogë e qytetarë, ndërsa zhvillimet e kësaj të shtune kanë shënuar një tjetër moment tensioni në protestën që po vijon prej javësh.

Sipas raportimeve nga vendngjarja, deri në këto momente dy persona janë shoqëruar nga policia. Rrethanat e plota të shoqërimeve dhe zhvillimet e mëtejshme pritet të sqarohen.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.