“Hapet theshi” i pagave, edhe Garda e Republikës kërkon rritje
Efektivët e Gardës së Republikës i janë drejtuar qeverisë me kërkesën që rritja e pagave të përfshihet në diskutimet për Buxhetin e Shtetit 2027, duke argumentuar se paga bazë e tyre mbetet pas strukturave të tjera të sigurisë dhe mbrojtjes.
Pas debatit për pagat e gjyqtarëve dhe magjistratëve, kërkesë për përmirësimin e trajtimit financiar vjen edhe nga efektivët e Gardës së Republikës.
Përmes Sindikatës së Gardës, punonjësit i janë drejtuar qeverisë me kërkesën që çështja e pagave të tyre të merret në konsideratë gjatë hartimit dhe diskutimit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2027.
Në argumentimin e tyre, efektivët nënvizojnë se paga bazë për gradë në Gardën e Republikës nuk është në të njëjtin nivel me atë të strukturave të tjera të sigurisë dhe mbrojtjes.
Ata veçojnë veçanërisht pagën e nivelit fillestar për gradën inspektor, e cila, sipas të dhënave të paraqitura nga Sindikata, është 73,500 lekë.
Sindikata: Ka një disbalancë me strukturat e tjera
Në kërkesën drejtuar institucioneve, Sindikata e Gardës së Republikës vlerëson politikat e ndërmarra për përmirësimin e trajtimit financiar të strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes.
“Sindikata e Gardës së Republikës përshëndet vëmendjen e vazhdueshme të Qeverisë Shqiptare dhe politikat e ndërmarra për përmirësimin e trajtimit financiar të strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes, si Forcat e Armatosura dhe Policia e Burgjeve. Çdo investim te uniformat që i shërbejnë shtetit është një vendim plotësisht i drejtë.”
Megjithatë, Sindikata ngre shqetësimin për atë që e konsideron një disbalancë të ndjeshme në pagën bazë për gradë të efektivëve të Gardës, krahasuar me strukturat homologe.
“Megjithatë, siç pasqyrohet në tabelat zyrtare të bashkëlidhura, vërehet një disbalancë e ndjeshme në Pagën Bazë për gradë të efektivëve të Gardës së Republikës, në raport me strukturat homologe.”
Sipas tyre, paga bazë e nivelit fillestar në Gardë, për gradën Inspektor, mbetet në kuotën 73,500 lekë.
Në të njëjtën kohë, Sindikata argumenton se nivelet bazë me përvojë në Forcat e Armatosura arrijnë mbi 82,000 lekë, ndërsa në Policinë e Burgjeve, pagat bazë për gradat paralele të nivelit zbatues dhe drejtues paraqiten dukshëm më të larta.
“Mision 24 orë në ditë, 7 ditë në javë”
Një tjetër argument i efektivëve lidhet me natyrën e punës dhe përgjegjësitë që mbart Garda e Republikës.
Sipas Sindikatës, punonjësit e Gardës kryejnë një mision të vazhdueshëm dhe me rëndësi të veçantë shtetërore, duke garantuar sigurinë e institucioneve qendrore dhe të personaliteteve më të larta shqiptare dhe të huaja.
“Punonjësit e Gardës së Republikës përmbushin çdo ditë një mision me rëndësi të veçantë shtetërore, duke garantuar (24/7) sigurinë e institucioneve qendrore dhe personaliteteve më të larta vendase e të huaja.”
Pikërisht mbi këtë bazë, Sindikata kërkon që trajtimi financiar të rishikohet në kuadër të buxhetit të vitit të ardhshëm.
Kërkesa për Buxhetin 2027
Në kërkesën drejtuar institucioneve vendimmarrëse, efektivët kërkojnë rritjen e pagës bazë për gradë, duke e lidhur atë me nevojën për ruajtjen e ekuilibrit mes strukturave të sigurisë kombëtare.
“Pikërisht në funksion të këtij misioni, i drejtohemi me besim institucioneve vendimmarrëse që:
Në hartimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2027, të planifikohet rishikimi dhe rritja e Pagës Bazë për gradë për punonjësit e Gardës së Republikës duke ruajtur ekuilibrin dhe dinjitetin e merituar brenda sistemit të sigurisë kombëtare.”
Në fund të kërkesës, Sindikata u bën thirrje qytetarëve që të njihen me të dhënat zyrtare të paraqitura në tabelat bashkëngjitur dhe ngre edhe pyetjen nëse paga bazë e efektivëve të Gardës duhet të harmonizohet, madje të tejkalojë atë të strukturave të tjera të sigurisë.
“A mendoni se në Buxhetin 2027 duhet të harmonizohet madje të tejkaloj paga bazë e punonjësit të Gardës së Republikës me pjesën tjetër të strukturave të sigurisë? Presim me respekt mendimin tuaj.”
Kërkesa e efektivëve të Gardës vjen në një moment kur në vend është zhvilluar një debat i gjerë mbi pagat e magjistratëve, çështje e cila ka përfunduar për shqyrtim edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco






