Historia prekëse e Danielit 10-vjeçar që bashkoi qytetarët përtej politikës
Protesta qytetare, që këtë të hënë ka hyrë në ditën e saj të 65-të, po merr një dimension tjetër përtej mesazheve politike. Ajo po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një hapësirë solidariteti, ku qytetarët jo vetëm protestojnë, por edhe mbështesin njëri-tjetrin në situata të vështira që prej kohësh kanë mbetur pa zgjidhje.
Gjatë tubimit të zhvilluar përballë Kryeministrisë, një moment i veçantë ka prekur thellë pjesëmarrësit. Rei Sulejmani, një i ri i ardhur nga Italia për t’iu bashkuar protestës, ka bërë një apel publik për të ndihmuar Danielin, një djalë 10-vjeçar nga Rrogozhina, i cili prej muajve të parë të jetës është i paralizuar dhe ka nevojë të vazhdueshme për trajtim mjekësor.
Në momentin e apelit, pranë tij ndodhej edhe nëna e Danielit, e cila kishte ardhur në protestë së bashku me djalin e saj në karrocë. Thirrja e bërë nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ka prekur shumë qytetarë, duke nxitur një reagim të menjëhershëm solidariteti.
Falë këtij mobilizimi, fushata e ndihmës ka arritur të mbledhë mbi 14 mijë euro, ndërsa për të përmbushur objektivin prej 26 mijë eurosh nevojiten edhe rreth 12 mijë euro. Kjo shumë do të përdoret për trajtimin mjekësor dhe përballimin e nevojave jetike të djalit.
Gjatë mesazhit të tij, Rei Sulejmani u shpreh se çdo kontribut, sado i vogël, mund të bëjë diferencën, duke theksuar se solidariteti qytetar është mënyra më e shpejtë për t’i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.
Sipas të dhënave të publikuara në fushatë, Danieli pësoi një hemorragji cerebrale në moshën 6-muajshe, e cila e la të paralizuar. Ai përballet gjithashtu me kriza të shpeshta epileptike dhe ka nevojë për medikamente të specializuara, një pjesë e të cilave nuk gjenden në Shqipëri dhe kanë kosto të lartë.
Situata familjare është po aq e vështirë. Nëna e tij kujdeset 24 orë për djalin dhe nuk mund të punojë, ndërsa babai, pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale, nuk është në gjendje të ketë një punë të qëndrueshme. Familja ka edhe një vajzë 12-vjeçare dhe e ka të pamundur të përballojë shpenzimet e trajtimit.
Historia e Danielit është një dëshmi e fortë se si protesta qytetare, përveç dimensionit politik, po krijon edhe një kulturë ndihme dhe solidariteti. Në një realitet ku shpesh mungon mbështetja institucionale, qytetarët po tregojnë se bashkimi dhe ndërgjegjësimi mund të sjellin ndryshim real në jetën e njerëzve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



