I ati legjendë e Shqipërisë, djali i Erjon Bogdanit zgjedh Italinë
Aleksandër Bogdani, djali i ish-futbollistit të Kombëtares Shqiptare, Erjon Bogdani, është thirrur për herë të parë në ekipin kombëtar të Italisë për moshat U-15.
Ndryshe nga babai i tij, i cili përfaqësoi Shqipërinë, Aleksandri ka zgjedhur të luajë për kombëtaren italiane, duke nisur kështu një rrugë të re në karrierën e tij futbollistike.
Lajmin e bëri të ditur portali “Tuttomercatoweb”, i cili evidentoi përfshirjen e talentit shqiptar në grupin e lojtarëve të U-15. Së fundmi, ekipi zhvilloi një stërvitje në Qendrën Teknike Federale në Katanzaro, ku u organizua edhe një ndeshje miqësore mes 44 futbollistëve të vitlindjes 2011 nga ekipet e Italisë së Jugut.
Në vijim, ndeshjet përzgjedhëse do të zhvillohen më 30 tetor në Coverciano për Italinë Qendrore-Veriore dhe më 6 nëntor në Romë për Italinë Qendrore. Më pas, pritet Turneu i Krishtlindjes, që do të mbahet nga 21 deri më 23 nëntor në Novarello. Pas përzgjedhjes së skuadrës përfundimtare, do të zhvillohet Turneu i Zhvillimit të UEFA-s, planifikuar nga 14 deri më 20 dhjetor në Angli.
Sa i përket Erjon Bogdanit, ai ka pasur një karrierë të spikatur si sulmues i Kombëtares Shqiptare dhe ka luajtur edhe në kampionatin italian gjatë viteve të fundit të karrierës së tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



