E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
I dënuar në SHBA për terrorizëm, Prokuroria i konfiskon pasuritë
Bota

I dënuar në SHBA për terrorizëm, Prokuroria i konfiskon pasuritë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka kërkuar konfiskimin e pasurive të familjarëve të shtetasit Sajmir Alimehmeti, i dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 22 vite burg për vepra penale që lidhen me terrorizmin.

Sipas autoriteteve, Alimehmeti është shpallur fajtor për sigurimin ose tentativën për sigurim të mbështetjes materiale për individë apo grupe të përfshira në veprimtari terroriste, si edhe për deklarim të rremë me qëllim pajisjen me pasaportë. Në Shqipëri, ai njihet edhe me inicialet A.Q.

Ndërkohë, në territorin shqiptar, ndaj tij po zhvillohen hetime për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Procedimi pasuror me numër 8 të vitit 2025 ka nisur mbi bazën e informacionit të siguruar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar.

Nga verifikimet e kryera rezulton se familjarët e tij, konkretisht prindërit Z.A. dhe V.A., kanë kryer transaksione financiare dhe veprime ekonomike në banka të nivelit të dytë në Shqipëri, në vlera të konsiderueshme, të cilat nuk përputhen me të ardhurat e deklaruara ndër vite.

Sipas Prokurorisë, familjarët kanë pretenduar se burimi i këtyre të ardhurave janë qiratë dhe kursimet, por nuk kanë paraqitur dokumentacion që të provojë ligjshmërinë e këtyre pretendimeve. Për pasojë, vlerat monetare e verifikuara nuk justifikohen me të ardhura të ligjshme dhe dyshohet se kanë origjinë të paligjshme.

Në përfundim të hetimit pasuror, organi i akuzës ka arritur në konkluzionin se pasuritë e identifikuara nuk justifikohen as nga shtetasi Sajmir Alimehmeti dhe as nga anëtarët e familjes së tij.

Për këtë arsye, Prokuroria ka kërkuar konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të llogarive bankare si më poshtë:

  • Llogaritë e shtetasit Z.A., me gjendje 39.49 lekë dhe 4.74 dollarë amerikanë, si dhe depozita në vlerën 50,109.56 dollarë amerikanë dhe 3,862,244.93 lekë;

  • Llogaritë e shtetases V.A., me gjendje 15,001.09 euro;

  • Llogaritë e përbashkëta të shtetasve Z.A. dhe V.A., me gjendje 11,734,250 lekë.

Kërkesa pritet të shqyrtohet nga gjykata në vijim, ndërsa çështja mbetet pjesë e hetimeve për goditjen e pasurive me origjinë kriminale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.