I riu djeg banesën e prindërve të partneres, vdesin dy të moshuarit
Një ngjarje e rëndë është regjistruar rreth mesnatës në zonën e Shkozës në Tiranë, ku një zjarr i rënë në një banesë sociale u mori jetën dy bashkëshortëve të moshuar. Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar një 35-vjeçar, i dyshuar si autor i zjarrvënies.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, zjarri ra rreth orës 00:30 të 14 tetorit 2026, në një banesë të kompleksit të banesave sociale, në rrugën “Ali Shefqeti”. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 mbërritën në vendngjarje për të ndërhyrë dhe për të përcaktuar shkaqet e incidentit.
Nga veprimet hetimore dhe këqyrja e kryer nga ekspertët kriminalistë dhe specialistët e zjarrvënieve, dyshohet se 35-vjeçari A. I. i ka vënë zjarrin banesës së I. Z., 65 vjeçe, dhe A. Z., 68 vjeç. Dy të moshuarit ishin prindërit e bashkëjetueses së tij.
Pavarësisht ndërhyrjes dhe dërgimit për ndihmë mjekësore, të dy bashkëshortët nuk kanë mundur t’u mbijetojnë plagëve dhe kanë ndërruar jetë në spital.
Pas veprimeve të menjëhershme policore, 35-vjeçari u arrestua, ndërsa hetuesit po punojnë për të dokumentuar me prova ligjore mënyrën se si u shkaktua zjarri dhe të gjitha rrethanat që çuan në këtë tragjedi.
Hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Materialet procedurale janë referuar pranë organit të akuzës për veprime të mëtejshme ligjore.
Shënim: Përgjegjësia penale e personit të arrestuar mbetet për t’u përcaktuar nga drejtësia, në përfundim të hetimeve dhe procedurave përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



