E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Identiteti Digjital – Revolucion Modern apo Bombë me Sahat?
Flash

Identiteti Digjital – Revolucion Modern apo Bombë me Sahat?

7 Pyetjet që   IdentiTek   nuk u përgjigjet dot!

Në majë të listës së projekteve që qeveria po e shet si revolucion teknologjik, ndodhet iniciativa e re “Identiteti Digjital”. Një projekt ambicioz, që sipas administratorës së IdentiTek, Freskida Halilaj, do të transformojë mënyrën se si qytetarët komunikojnë me shtetin.

Por dokumentet, mesazhet e brendshme dhe analiza e disa ekspertëve të sektorit të siguruara nga Publik.al tregojnë një realitet krejt tjetër. Pas dritave të kamerave dhe diskursit entuziast, fshihet një seri problemesh strukturore, financiare dhe teknike që mund të rrezikojnë sigurinë e të dhënave biometrike të shqiptarëve dhe vetë funksionimin e sistemit.

1. Sistemi është drejt kolapsit teknik dhe e kanë ditur prej vitesh

Burime të Publik.al brenda sektorit të teknologjisë në administratë flasin qartë:

“Sistemi aktual është end of life në 2026. Kjo do të thotë se do duhej të ishte zëvendësuar me kohë. Sot është tepër vonë.”

Një nga pyetjet që ekspertët ia drejtojnë IdentiTek është kjo:
• Pse nuk është bërë investimi kapital në kohë, kur dihej që sistemi mbaron jetën teknike në 2026?
• Pse është lënë të degradojë infrastruktura e identitetit kombëtar?

Në çdo kompani apo institucion serioz, kur një sistem kryesor hyn në vitet e fundit të jetës teknologjike, nis menjëherë plani i zëvendësimit.
Në Shqipëri, ky plan nuk ekziston.

2. IdentiTek pranon vetëm sukses financiar — por jo mungesën e investimeve kapitale

Administratores Halilaj i pëlqen të flasë për fitimet:
• EBITA 44% në 2024
• 49% në 2025 – “viti më i suksesshëm financiar”

Por Publik.al vëren se ajo shmang pyetjen thelbësore:

Ku janë investimet kapitale?

Burimi ynë e thotë troç:

“Një shoqëri pa investime kapital vdes.”

Dhe vazhdon:

“Këta kanë marrë një makinë që prodhon para. Por pyetja është: deri kur? Sepse pa investime, çdo makineri ndalon.”

Pyetje që Publik.al ngre për llogarinë publike:
• Sa është shuma e investimeve kapitale në 2023–2025?
• A janë amortizuar asetet?
• Cilat janë pasojat e mos-realizimit të investimeve në kohë?
• A rrezikon kjo ardhmërinë e shoqërisë?
• A rrezikohet shërbimi ndaj qytetarëve?

Asnjë nga këto nuk merr përgjigje.

3. Varësia e frikshme nga IDEMIA dhe mungesa e transparencës për kostot

Sipas burimeve, IdentiTek nuk ka më opsione teknike:

“Tani kanë vetëm një alternativë: të zgjasin me kontratë shërbimin e IDEMIA-s. Me një kosto që nuk e dimë.”

Screenshot

Pse nuk e dimë?

Sepse:

Nuk janë publikuar kostot reale të mirëmbajtjes së IDEMIA-s.

Nuk janë publikuar kostot e kalimit në identitet digjital.

Nuk dihet nëse ka pasur negocim apo thjesht imponim.

Kjo varësi teknike e shoqërisë shtetërore ndaj një kompanie private ndërkombëtare krijon rrezik të madh strategjik. Në çdo shtet normal, sistemi i identitetit është i pavarur, i shumështresuar dhe i garantuar nga shteti.

Në Shqipëri, IdentiTek është kthyer në një furnizues të IDEMIA-s, jo anasjelltas.

4. “Fryrja e stafit” dhe keqadministrimi konfirmohen shqetësimet e brendshme

Screenshot

Mesazhet e siguruara nga Publik.al flasin për:

“Fryrje të stafit… kjo ka ndotur gjithë shoqërinë.”

Ndërkohë që sistemi teknik po degradon, ndërkohë që investimet mungojnë totalisht, IdentiTek ka shtuar personel administrativ pa ndonjë arsye funksionale.

Gjuhë e thjeshtë:
• Pak investime
• Shumë administratë
• Sisteme që plaken
• Varësi totale nga furnizuesi privat

Ky është një kombinim perfekt për dështim të garantuar.

5. Identiteti Digjital   si koncept është modern. Por a është Shqipëria gati?

Halilaj shpjegon konceptin në mënyrë teorike:
identiteti digjital si dokument elektronik, përdorimi përmes smartphone-it, lidhja me të dhënat biometrike etj.

Por pyetjet e mëdha mbeten pa përgjigje:

• A është infrastruktura e Shqipërisë e gatshme të mbajë mbi vete miliona identitete digjitale?

• A ka garanci që të dhënat biometrike nuk do të ekspozohen?

• Kush mban përgjegjësi në rast sulmi?

• Kush e certifikon sigurinë e këtyre sistemeve?

Deri tani nuk ka studim teknik, as risk assessment publik, as certifikim ndërkombëtar të sigurisë.

6. Realiteti: një kompani që prodhon para, po nuk investon për të nesërmen

Pikat e brendshme që Publik.al ka analizuar tregojnë:
• Sistemi prodhon para edhe sot.
• Por është realisht i rrezikuar nga mungesa e investimeve.
• Ka humbur disa vite për të bërë përmirësimet kapitale.
• Ka lënë të vjetrohen asetet.
• Ka rritur administratën në vend të teknologjisë.
• Ka hyrë në një rrugë pa kthim me furnizuesin e huaj.

Pra:

Identiteti Digjital po ndërtohet mbi një infrastrukturë që po shembet.

7. A është qytetari i mbrojtur? Sot:

JO.

Kur kompania shtetërore e cila prodhon pasaportat, letërnjoftimet dhe mbledh të dhëna biometrike:
• ka sisteme të vjetruara,
• ka mungesë investimesh,
• ka staf të fryrë,
• ka varësi 100% nga një firmë e huaj,
• nuk ka transparencë për kostot,

atëherë rreziku është i qartë:
qytetarët nuk janë të mbrojtur.

Identiteti Digjital mund të jetë e ardhmja – por në duart e gabuara kthehet në rrezik kombëtar

Ndryshe nga çfarë deklaron IdentiTek në intervistat publike, infrastruktura aktuale e identitetit shqiptar është:
• e pakonsoliduar,
• e pambështetur në investime,
• e mbështetur në sisteme që mbarojnë jetën në 2026,
• e mbingarkuar administrativisht,
• dhe në rrezik real të mos funksionojë.

Këto nuk janë opinione  janë fakte teknike dhe financiare të konfirmuara nga dokumentet dhe mesazhet e brendshme të siguruara nga Publik.al.

**Qeveria po e shet identitetin digjital si sukses.

Por pa investime, kjo është vetëm një kartolinë e bukur mbi një godinë që po çahet nga themelet.**

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.