Ilir Meta niset drejt Skraparit për varrimin e të atit
Ish-presidenti Ilir Meta është nxjerrë mëngjesin e kësaj të marte nga institucioni i paraburgimit “313”, për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tij, Rexhep Meta, në fshatin Çepan të Skraparit.
Sipas burimeve mediatike, ai është larguar nga ambientet e burgut rreth orës 07:00, i shoqëruar nga efektivë të Policisë së Burgjeve dhe nën masa të posaçme sigurie. Lëvizja është kryer në përputhje me procedurat ligjore për raste të tilla.
Ceremonia e fundit për Rexhep Metën pritet të zhvillohet në vendlindjen e familjes, ku do të marrin pjesë të afërm, miq dhe figura të njohura të jetës publike për të nderuar kujtimin e tij.
Pas përfundimit të ceremonisë mortore, Ilir Meta pritet të rikthehet sërish në ambientet e paraburgimit gjatë mbrëmjes. Gjithashtu, autoritetet i kanë dhënë leje edhe për ditën pasuese, për të pritur ngushëllimet.
Sipas informacioneve, pritjet do të organizohen në ambientet e Rogner Hotel Tirana, duke nisur nga ora 09:00 deri në 21:00, ku pritet pjesëmarrje e gjerë nga familjarë, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të jetës publike.
Në përfundim të afatit të lejes së miratuar, Meta do të rikthehet në institucionin e vuajtjes së dënimit, në zbatim të dispozitave ligjore në fuqi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



