Imuniteti i Ballukut, Erion Braçe ia kalon ‘topin’ Niko Peleshit
Deputeti: Pyesni Kryetarin e Kuvendit!
Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve nuk e ka shqyrtuar sot çështjen që lidhet me mandatin e zv/kryeministres Belinda Balluku, ndaj së cilës SPAK ka paraqitur kërkesë për arrestim. Mbledhja e parashikuar nuk u zhvillua, pasi u vendos shtyrja e saj.
Sipas burimeve zyrtare, shtyrja erdhi pas kërkesës së deputetëve socialistë, të cilët kërkojnë që Këshilli të mblidhet vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të shprehet për këtë çështje.
Në lidhje me situatën, deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe, i pyetur nga gazetari Osman Stafa, deklaroi se Belinda Balluku nuk gëzon imunitet në kushtet kur ndaj saj është duke u zhvilluar një hetim penal.
Braçe theksoi se nuk është pjesë e Këshillit të Mandateve dhe se nuk ka dijeni mbi mënyrën se si po koordinohet puna e tij, duke sqaruar se angazhimi i tij lidhet kryesisht me çështjet ekonomike. Ai shprehu gjithashtu shqetësim për pasojat që, sipas tij, mund të sjellë ndryshimi i fundit në Kodin Penal, i miratuar një ditë më parë, të cilin deklaroi se nuk e ka votuar.
“Nuk ka imunitet për sa kohë një person është nën hetim. Është ngritur një akuzë, po zhvillohet hetimi dhe ajo prezumohet e pafajshme deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. Në Kuvend u dëgjuan shumë gjëra që nuk qëndrojnë. Për mënyrën se si po vepron Këshilli i Mandateve, duhet të pyesni kryetaren e Kuvendit”, u shpreh Braçe.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



