Inxhinieri i pavarur i kërkoi MIE të mos prishë kontratën e Aeroportit të Vlorës
Inxhinieri i pavarur i rekomandoi qeverisë të tërhiqet nga prishja e konçesionit të Aeroportit të Vlorës. Kompania, e cila është kontraktuar vetë nga qeveria, për të mbikqyrur punimet në aeroport, ka rekomanduar përmes një shkrese zyrtare për ministrinë e Infrastrukturës të ndalë prishjen e kontratës dhe të ulet në negociata me palët për zgjidhjen e problemit.

“Në këtë fazë nuk mund ta mbështesim teknikisht zgjidhjen e parakohshme të Kontratës pa u shqyrtuar më parë, përmes mekanizmave të kontratës, mundësia e vazhdimit të kontrolluar të punimeve” shprehet inxhinieri në një shkresë, e cila mban datën 25 gusht.

Qeveria shqiptare e bazoi prishjen e kontratës konçesionare tek mosrealizimi i datës së operimit, pra ndryshe mosvënien në punë të aeroportit të Vlorës sipas afateve të parashikuara në kontratë.
Por inxhinieri i pavarur thotë se vonesat në projekt nuk kanë ardhur vetëm për fajin e kompanisë konçesionare, por një pjesë e tyre burojnë edhe për shkaqe administrative që lidhet me veprimet ose mosveprimet e qeverisë, ndërsa të tjera lidhen me shkaqe që nuk janë në dorën e askujt, si faktorët klimatikë.
“Në njoftimin e qeverisë për zgjidhjen e kontratës, nuk gjejmë një analizë përfundimtare që të ndajë dhe të masë ndikimin e vonesave të kontraktorëve, ndryshimeve teknike të projektit dhe bashkimit të fazave, kufizimin e punimeve për shkak të moszgjatjes së lejes së ndërtimit, pengesave fizike dhe sigurisë në kantier….,” vijon inxhinieri.

Në 23 qershor të këtij viti, inxhinieri i pavarur i rekomandoi ministrisë së Infrastrukturës të shtynte me 43 javë afatin e përfundimit të aeroportit, sipas një plani të përcaktuar punimesh, ku formalizohej edhe bashkimi i fazave të ndërtimit.
Sipas këtij plani, aeroporti do të niste funksionimin brenda 14 javëve, ndërsa pjesë e mbetur e kohës për javët 15-43 do të shërbente për përfundimin e punimeve të fazave të tjera.
Paralelisht inxhinieri rekomandoi që ky plan të shërbente si bazë për realizimin, monitorimin dhe raportimin e punimeve. Nëse konçesionari nuk do t’i përmbahej planit të ri, atëherë sipas inxhinierit, qeverisë do t’i lindte e drejta e pakundërshtueshme për të zgjidhur kontratën.
Por qeveria vazhdoi përpara me zgjidhjen e kontratës pavarësisht këtij rekomandimi. Ky është një risk jo i vogël për Shqipërinë në Gjykatën e Arbitrazhit, pasi shkresa e inxhinierit të pavarur shërben si një provë e fortë në favor të konçesionarit.
Aktualisht VIA, por edhe aksioneri i saj Mabco kanë çelur zyrtarisht arbitrazhin kundër qeverisë shqiptare në Londër, ku faza e parë ëhtë kërkesa për të bllokuar prishjen e kontratës. Ndërkohë pas tejkalimit të kësaj faze, palët do të paraqesin pretendimet për dëmshpërblime financiare.
Ky është një proçes delikat, pasi nëse qeveria nuk kopsit në mënyrë shëmbullore letrat dhe veprimet e saj, atëherë taksapaguesit shqiptarë mund ta paguajnë shtrenjtë dhe në këtë rast bëhet fjalë për një faturë qindra milione eurosh./Kapitali
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



