Irani shpall organizata terroriste forcat e Bashkimit Europian
Përplasja diplomatike mes Teheranit dhe Brukselit ka hyrë në një fazë të re, pasi Irani ka shpallur “forcat detare dhe ajrore” të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian si organizata terroriste. Ky vendim vjen si reagim ndaj masës së fundit të ndërmarrë nga Këshilli Evropian, i cili përfshiu Garda Revolucionare në listën e organizatave terroriste.
Reagimi i Teheranit
Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme iraniane, vendimi i BE-së cilësohet si “i paligjshëm dhe i pajustifikuar”, ndërsa theksohet se bie ndesh me parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Deklarata, e publikuar nga agjencia shtetërore Islamic Republic News Agency (IRNA), i referohet gjithashtu një ligji iranian të vitit 2019.
Ky ligj u miratua pasi Shtetet e Bashkuara shpallën Gardën Revolucionare si organizatë terroriste dhe parashikon masa reciproke ndaj çdo vendi që mbështet ose zbaton atë vendim.
Vendime të njëpasnjëshme
Më herët, më 1 shkurt, Parlamenti iranian kishte shpallur tashmë “ushtritë evropiane” si organizata terroriste, duke sinjalizuar një përshkallëzim të qartë të tensioneve politike dhe ushtarake mes palëve.
Zhvillimet e fundit pritet të ndikojnë ndjeshëm në marrëdhëniet mes Iranit dhe BE-së, në një moment kur situata gjeopolitike në rajon mbetet e brishtë dhe e tensionuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



