Ish-gjyqtarja Pajtime Fetah nis “lojën” për të dalë nga burgu, përfshihet Bashkia Elbasan
Që prej arrestimit me urdhër të SPAK, ish-gjyqtarja Pajtime Fetah, e akuzuar për lidhje me grupet kriminale dhe rekrutimin nga Suel Çela, ka filluar përpjekjet për të fituar lirinë. Duke njohur mirë mekanizmat dhe dobësitë e sistemit që ajo vetë e ka përfaqësuar, Fetah pretendon se vuan nga një çrregullim shëndetësor i pazakontë – lotim i tepruar.
Kjo pretendon të jetë një gjendje e njohur që nga koha kur Komisioni i Vetingut i nisi hetimet për pasurinë dhe lidhjet e saj me krimin, por në vend që të referohej në SPAK, Komisioni pranoi dorëheqjen e saj, duke i hapur rrugën përjashtimit nga drejtësia për 15 vite.
Së fundmi, në një seancë për ndryshimin e masës së sigurisë, Fetah paraqiti edhe një dokument nga Bashkia Elbasan, ku deklarohej se ajo gëzon “respekt të lartë” në komunitet, një fakt që bie në kontrast të thellë me akuzat e SPAK që e lidhin atë me grupe kriminale. Ironikisht, dokumenti pothuajse e shpall atë “Qytetare Nderi” të Elbasanit.
E kaluara e dyshimtë dhe mbrojtja e vazhdueshme nga institucionet
Ish-gjyqtarja është një emër i njohur në historitë e korrupsionit në sistemin gjyqësor. Që në vitin 2017, emisioni investigativ Stop e denoncoi atë me video dhe prova për marrje rryshfetesh. Megjithatë, ajo arriti t’i shpëtonte drejtësisë dhe të rikthehej në detyrë falë ndërhyrjes së pretenduar të Ilir Metës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë (KLD).
Në 2021, pas një tjetër denoncimi nga Stop, Fetah u procedua disiplinarisht dhe u penalizua me ulje rroge, por vazhdoi aktivitetet e saj, duke përdorur ndikimin për të kërcënuar gazetarë dhe avokatë.
SPAK dhe sfida për drejtësinë
SPAK tani përballet me një dosje të rëndë që tregon sesi Fetah ka dhënë vendime korruptive për vite me radhë, duke dëmtuar palët dhe duke forcuar pozitat e grupeve kriminale. Ky rast është një test i rëndësishëm për institucionet e drejtësisë, të cilat kanë dështuar për vite me radhë të ndalojnë abuzimet e saj, pavarësisht fakteve të publikuara në media.
Ndërkohë, përpjekjet e Fetah për të dalë nga burgu, të mbështetura nga manovrat juridike dhe dokumente të dyshimta, e theksojnë edhe një herë domosdoshmërinë për reforma të thella në sistemin gjyqësor shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



