Izraeli nxjerr hartën: Vendet europiane që rrezikohen nga raketat e Iranit
Ambasada e Izraelit në Greqi ka publikuar në faqen e saj zyrtare në Facebook një hartë që ilustron rrezen e veprimit të raketave balistike iraniane dhe zonat që potencialisht mund të arrihen prej tyre. Ilustrimi paraqet me rrathë koncentrikë distancën e mundshme të goditjes nga territori i Iranit, duke treguar se kapaciteti i tyre shtrihet deri në pjesë të konsiderueshme të Evropës.
Sipas postimit të ambasadës, kërcënimi i paraqitur nga programi raketor iranian nuk kufizohet vetëm në Lindjen e Mesme. Në deklaratë theksohet se rrezja e disa raketave balistike mund të arrijë deri në rajone të Evropës, duke përfshirë zona të Evropës Lindore dhe Qendrore.
“Kërcënimi i regjimit iranian nuk drejtohet vetëm kundër Izraelit dhe vendeve të rajonit. Rrezja e veprimit të raketave balistike iraniane shtrihet deri në Evropë”, thuhet në reagimin e publikuar në rrjetet sociale.
Ky paralajmërim vjen në një moment tensionesh të larta në rajon. Që prej datës 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme ndaj disa objektivave në Iran, situata e sigurisë në Lindjen e Mesme është përkeqësuar ndjeshëm. Në përgjigje, Teherani ka zhvilluar një seri sulmesh ndaj objektivave që i konsideron armiqësore në rajon.
Ndërkohë, raportime ndërkombëtare flasin për incidente pranë bazave britanike në Qipro, ndërsa Greqia ka dislokuar avionë luftarakë F-16 në ishull si pjesë e masave të sigurisë dhe mbështetjes ndaj strukturave aleate.
Situata në rajon mbetet e tensionuar dhe në zhvillim të vazhdueshëm, ndërsa vendet e rajonit dhe partnerët perëndimorë po monitorojnë nga afër zhvillimet dhe rrezikun e një përshkallëzimi më të gjerë të konfliktit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




