Izraeliti i Ramës dhe Ardi “polici” morën koncesionin e armëve
me kompani 1000-euro
Një industri strategjike mbi themele qesharake
Në pranverën e vitit 2024, qeveria shqiptare ndërmori një hap me peshë strategjike dhe pasoja afatgjata: hyrjen e Shqipërisë në industrinë e prodhimit të armëve. Por mënyra se si u ndërtua kjo nismë ngre më shumë dyshime sesa siguri.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, të firmosur nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, u krijua shoqëria shtetërore KAYO, një entitet me kompetenca të zgjeruara për të lidhur marrëveshje me subjekte private në sektorin ushtarak. Në krye të saj u vendos ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, figurë pa asnjë përvojë të njohur në industrinë e mbrojtjes, teknologjinë ushtarake apo menaxhimin e projekteve të këtij niveli sigurie.
TIMAC, podcasti dhe shitja 490-euro
Një nga subjektet kryesore private që përfitoi nga kjo arkitekturë e re ishte TIMAC shpk, kompani e drejtuar nga Arjeta Puca, e promovuar publikisht nga vetë kryeministri përmes vizitave zyrtare dhe ftesës në podkastin personal të Ramës.
Më 17 qershor 2025 ndodh një transaksion që në çdo ekonomi normale do të ngjallte alarm: 49% e aksioneve të TIMAC shpk shiten për vetëm 490 euro te Ron Yeffet – biznesmen izraelit i përmendur gjerësisht në qarqe politike si mik i afërt i kryeministrit.
Një kompani që disa javë më vonë do të shpallej partnere në prodhimin e armëve, vlerësohet de facto 1000 euro në total. As audit, as rivlerësim pasurie, as transparencë mbi asetet, teknologjinë apo kontratat potenciale.
Kush është Ron Yeffet?
Emri i Yeffet nuk është i panjohur në prapaskenat e pushtetit. Ai është përmendur publikisht si person që ka tentuar të blejë borxhe shtetërore shqiptare, një iniciativë e bllokuar – sipas deklarimeve politike – nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj. Po ashtu, ka pasur interes për blerjen e pronës së Ambasadës shqiptare në SHBA për qëllime rezidenciale, projekt i ndalur nga Ministria e Jashtme.
Emri i tij është përfolur edhe në dosje ndërkombëtare, përfshirë një marrëveshje të anuluar në Senegal, e cila sipas mediave lokale është objekt hetimi për korrupsion. Në Shqipëri, ai është lidhur në mënyrë informale edhe me çështjen “Air Albania”, pa u dhënë kurrë një sqarim publik i plotë.
Fabrika e armëve me kapital qesharak
Vetëm pak javë pas hyrjes së Yeffet në TIMAC, më 4 gusht 2025, krijohet shoqëria TIMAC Defence, me aksionerë:
- 80% TIMAC shpk
- 20% KAYO
Kapitali fillestar: 35 mijë euro.
Paralelisht, më 1 gusht 2025:
- KAYO dhe MSSC (në pronësi të Emiljano Dushës) themelojnë MKD Myslym Keta Defence, sërish me raportin 80% privat – 20% shtet.
- Po atë ditë krijohet edhe GUNA Tactical, ku KAYO mban 51% dhe MSSC 49%, me kapital minimal.
Pra, brenda pak ditësh, krijohet një rrjet kompanish “Defence”, të gjitha me kapital simbolik, pa histori financiare, pa transparencë mbi teknologjinë, pa licenca të publikuara dhe pa përvojë të dokumentuar në industrinë e mbrojtjes.
Pyetjet që nuk marrin përgjigje
Ky zinxhir vendimesh lë pas një sërë pikëpyetjesh thelbësore për sigurinë kombëtare dhe interesin publik:
- Me çfarë kriteresh janë përzgjedhur këto kompani?
- A disponojnë ato certifikime ndërkombëtare për prodhim armësh?
- Kush garanton sigurinë teknologjike dhe kontrollin e eksportit?
- Si justifikohet shitja e gjysmës së një kompanie strategjike për 490 euro?
- Pse industria e armëve po ndërtohet mbi shoqëri pa kapital, pa histori dhe pa audit publik?
- A po krijohet një industri kombëtare, apo një skemë private nën mbrojtje shtetërore?
Industria e armëve nuk është podcast
Prodhimi i armëve nuk është startup, as podkast, as fushatë marketingu personale. Është një sektor që kërkon standarde të hekurt ligjore, transparencë maksimale dhe kontroll demokratik.
Kur armët ndërtohen mbi kompani 1000-euro, pyetja nuk është më sa do të prodhojmë, por kush do të përgjigjet nëse kjo skemë shpërthen – financiarisht, ligjërisht apo politikisht.
Dhe deri tani, përgjigjja mungon.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



