Jep dorëheqjen Drejtori i Përgjitshëm i Doganave Genti Gazheli
Burime për Publik.al bëjnë me dije se Genti Gazheli, i cili mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme.
Ende nuk janë bërë publike arsyet e këtij vendimi, ndërsa lëvizja vjen në një moment kur prej kohësh në disa media janë raportuar informacione se Gazheli mund të jetë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Megjithatë, deri në këto momente nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga ky institucion.
Gazheli u emërua në krye të administratës doganore në vitin 2020, duke drejtuar një nga institucionet kyçe të mbledhjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe të kontrollit të kufijve për mallrat. Gjatë mandatit të tij, Doganat kanë qenë shpesh në qendër të debatit publik për shkak të çështjeve që lidhen me kontrabandën, akcizat dhe performancën e të ardhurave.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar as nga vetë Gazheli dhe as nga Ministria e Financave lidhur me dorëheqjen, ndërsa pritet të mësohet nëse vendimi lidhet me zhvillime administrative të brendshme apo me çështje që mund të jenë në shqyrtim nga organet e drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



