Zbulohet emri që pritet të zëvendësojë Genti Gazhelin
Lëvizja e heshtur te Doganat
Genti Gazheli është larguar nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, një prej institucioneve më kyçe për financat publike, mbledhjen e të ardhurave dhe kontrollin kufitar.

Mësohet se vendimi për largimin e tij është formalizuar përpara udhëtimit të kryeministrit Edi Rama drejt Izraelit. Procesi është kryer në heshtje, pa një njoftim zyrtar publik deri në këtë moment.
Gjithashtu mësohet se në vend të Gazhelit pritet të emërohet Shkëlqim Hajdari, megjithatë deri tani nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga qeveria apo Ministria e Financave.

Largimi i Gazhelit nga drejtimi i Doganave ndodh në një moment të ndjeshëm për administrimin fiskal, luftën kundër kontrabandës dhe menaxhimin e flukseve tregtare në pikat kufitare, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet reale të kësaj lëvizjeje dhe pasojat e saj për funksionimin e një prej institucioneve më strategjike të shtetit.
Gazheli u emërua në krye të administratës doganore në vitin 2020, duke drejtuar një nga institucionet kyçe të mbledhjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe të kontrollit të kufijve për mallrat. Gjatë mandatit të tij, Doganat kanë qenë shpesh në qendër të debatit publik për shkak të çështjeve që lidhen me kontrabandën, akcizat dhe performancën e të ardhurave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



