Jepet alarmi, eskavatori thyen shkëmbinjtë te Kalaja e Rozafës
Një ndërhyrje me mjete të rënda në zonën përreth Kalasë së Rozafës në Shkodër ka shkaktuar reagime dhe shqetësim për ruajtjen e peizazhit historik të një prej monumenteve më të rëndësishme të Shqipërisë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një eskavator duke punuar në terrenin shkëmbor pranë kalasë, duke thyer shkëmbinj në zonën monumentale.
Studiuesi Auron Tare ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjes, duke e cilësuar atë si një dëmtim të peizazhit historik të kryer në emër të zhvillimit të turizmit.
Në reagimin e tij, Tare ngre pikëpyetje mbi përdorimin e mjeteve të rënda në një zonë të mbrojtur dhe shpreh shqetësimin për mënyrën se si po trajtohen hapësirat me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore.
Sipas tij, ndërhyrja lidhet me një projekt të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, çka e ka shtuar shqetësimin e shprehur për ndërhyrjet infrastrukturore në zona me vlera të trashëgimisë kulturore.
Tare e ka lidhur rastin me ndërhyrje të mëparshme në zona të tjera të rëndësishme natyrore dhe historike të vendit, duke përmendur Syrin e Kaltër, Kanionin e Langaricës dhe Qendrën Historike të Pogradecit.
Reagimi i studiuesit është shoqëruar me videon ku dokumentohet puna e mjetit të rëndë në terrenin shkëmbor pranë Kalasë së Rozafës.
Kalaja e Shkodrës, e njohur gjerësisht si Kalaja e Rozafës, është një nga monumentet më të rëndësishme historike të Shqipërisë dhe një prej destinacioneve kryesore turistike të veriut të vendit. Sipas të dhënave të bëra publike nga institucionet, vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti kalaja është vizituar nga 23,678 persona.
E pozicionuar në një pikë dominuese mbi qytetin e Shkodrës, kalaja ofron një pamje të gjerë mbi territorin përreth dhe përbëhet nga disa hapësira të ndara në oborre, të rrethuara me mure dhe të lidhura përmes portave që shtrihen në drejtim të pjesës më të lartë të kodrës.
Brenda kompleksit ruhen gjurmë të periudhave të ndryshme historike, përfshirë kullën cilindrike, depot, ndërtesën trekatëshe të periudhës venedikase të njohur si Kapiteneria, depozitat e ujit, burgun dhe Xhaminë e Fatihut.
Ndërhyrja e dokumentuar në terren ka rikthyer në vëmendje debatin mbi mënyrën se si zhvillimi i infrastrukturës turistike duhet të harmonizohet me mbrojtjen e peizazheve historike dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



