Joni Keta merr në dorë drejtimin e “FBI-së shqiptare”
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka votuar sot për emërimin e Joni Ketës si drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), struktura e njohur ndryshe si “FBI-ja shqiptare”. Në mbledhje ishin të pranishëm përfaqësues të Ambasadës së SHBA-ve dhe të Bashkimit Europian.
Joni Keta, i cili aktualisht mban postin e zv.drejtorit të Byrosë, u votua për një mandat 5-vjeçar në krye të BKH-së, pas një procesi të gjatë që zgjati disa muaj. Në garë për drejtimin e strukturës ishin gjithsej 7 kandidatë, përfshirë zyrtarë të lartë policie dhe prokurorë.
Struktura, e cila ndihmon SPAK në hetime të korrupsionit dhe krimit të organizuar, u drejtua më parë nga Aida Hajnaj në mandatin e parë 5-vjeçar. Procesi i zgjedhjes së Ketës u monitorua nga afër nga partnerët ndërkombëtarë, ku të pranishëm ishin përfaqësues të ICITAP (Programi i Ndihmës për Trajnime Hetimore Penale Ndërkombëtare) dhe të Bashkimit Europian, duke garantuar transparencën e plotë të vendimmarrjes.
Me këtë votim, Joni Keta merr drejtimin e një strukture kyçe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke forcuar kështu kapacitetet e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



