Justin Bieber-in e lëshojnë nervat, godet me shishe uji paparacët
Një situatë e tensionuar është regjistruar së fundmi mes këngëtarit kanadez Justin Bieber dhe disa paparacëve në Los Angeles, menjëherë pas një darke që ai pati me partneren e tij, Hailey Bieber.
Çifti kishte përfunduar një darkë në restorantin e njohur Sushi Park gjatë fundjavës. Teksa po largoheshin nga ambienti dhe po drejtoheshin drejt garazhit të parkimit, disa fotografë të mediave rozë nisën t’i ndiqnin nga afër për të kapur imazhe.
Në videon që po qarkullon në rrjet, Bieber shihet duke u përpjekur të shmangë kamerat, ndërsa mbulon fytyrën me krah dhe ecën me shpejtësi drejt makinës së tij. Ndërkohë, blicet e aparateve fotografike vazhdojnë të ndizen pa ndërprerje ndërsa ai dhe bashkëshortja e tij hipin në automjetin që i priste në parking.
Situata u tensionua për disa çaste kur këngëtari duket se humbi durimin dhe hodhi një shishe plastike gjysmë të mbushur me ujë në drejtim të paparacëve, duke goditur makinën e tyre. Në sfond dëgjohet edhe një person që besohet të jetë shoferi i tij, i cili u kërkon fotografëve të largohen dhe t’i lënë hapësirë çiftit për t’u larguar.
Më herët gjatë së njëjtës ditë, Justin Bieber dhe Hailey Bieber ishin parë së bashku edhe në një drekë në restorantin South Beverly Grill, një tjetër vend i frekuentuar shpesh nga personazhe të njohur të industrisë së argëtimit.
Kjo nuk është hera e parë që këngëtari përballet me situata të tilla. Në qershor të vitit të kaluar ai pati një tjetër përplasje me paparacët pranë klubit privat Soho House Malibu. Në atë rast, i irrituar nga prania e vazhdueshme e kamerave, Bieber u dëgjua duke iu drejtuar fotografëve me tone të ashpra, duke u kujtuar se përtej famës ai mbetet para së gjithash një njeri që kërkon privatësi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



