“Kam luajtur si sulmues”, Frashëri: Ju tregoj si përfundova portier
“Kam pasur interesime nga Shalke 04 dhe Frankfurti”
Portieri i njohur shqiptar, Stivi Frashëri, ishte i ftuari i radhës në studion e podcastit “OFFSIDE”, ku ndau me publikun detaje të rralla nga fillimet e karrierës së tij dhe sfidat që e formësuan si futbollist.
Frashëri zbuloi se hapat e parë në futboll nuk i kishte hedhur si portier, por në role sulmuese. Ai tregoi se në moshë të re aktivizohej si mesfushor i avancuar dhe winger, duke theksuar se pasioni i tij i vërtetë ishte të luante në sulm.
“E kam nisur si mesfushor ofensiv dhe anësor. Për shkak të rrethanave u detyrova të futesha në portë në një ndeshje dhe aty vazhdova. Edhe pse ‘vdisja’ të luaja sulmues,” u shpreh ai.
Një episod interesant nga karriera e tij lidhet me periudhën te Aris, ku Frashëri tregoi se shpesh luante në dy role brenda të njëjtës ndeshje.
“Te ekipi B i Arisit, në miqësore, luaja një pjesë sulmues dhe pjesën tjetër portier, sepse trajneri më kishte shumë qejf,” rrëfeu ai.
Një nga momentet kyçe në karrierën e tij mbetet zbulimi nga trajneri i njohur Jani Kaçi, për të cilin Frashëri foli me shumë respekt. Ai nuk kurseu as kritikat për mënyrën se si funksionon futbolli sot, duke nënvizuar se padrejtësitë kanë penguar figura të rëndësishme.
“Kaçi nuk ka ecur aq sa duhej vetëm për shkak të drejtësisë që kishte. Sot futbolli është bërë si një showbiz shumë i pisët, me shumë ‘brryla’,” deklaroi ai.
Portieri kujtoi edhe një moment të rëndësishëm nga adoleshenca, kur në moshën 15-vjeçare mori pjesë në një “Ballkaniadë” në Rumani së bashku me Odise Roshin, ku u shpall portieri më i mirë i turneut.
“Isha shumë i lumtur, mezi prisja ta çoja kupën në shtëpi për babin,” tregoi Frashëri.
Megjithatë, pavarësisht talentit dhe vlerësimeve, rruga e tij nuk ka qenë e lehtë. Ai zbuloi se në atë periudhë mungesa e menaxherëve ndikoi në mundësitë për të bërë hapa të mëdhenj në karrierë.
“Kisha dy ftesa që kishin ardhur me fax nga Gjermania, nga Schalke 04 dhe Eintracht Frankfurt, por në momentin e fundit babi vendosi që të mos shkoja,” përfundoi ai.
Rrëfimi i Stivi Frashërit në “OFFSIDE” hedh dritë mbi sakrificat, rastësitë dhe vendimet familjare që shpesh përcaktojnë fatin e një futbollisti, duke sjellë një histori frymëzuese për të rinjtë që ëndërrojnë të ndjekin rrugën e sportit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



