Kamarieri refuzoi t’i shërbente, 53-vjeçari qëllon me armë
Një konflikt i nisur për një gotë alkool ka përfunduar me të shtëna armësh në ajër dhe arrestimin e një 53-vjeçari në Mullet, në periferi të Tiranës.
Ngjarja ka ndodhur pas një debati mes Fatjon Çelikut, banor i zonës, dhe një 23-vjeçari me inicialet A.H., i cili punonte në një lokal familjar në këtë zonë.
Sipas të dhënave paraprake, 53-vjeçari kishte shkuar në lokal dhe kishte kërkuar të konsumonte alkool. Kërkesa e tij është refuzuar nga 23-vjeçari, i cili dyshohet se ka pasur dijeni për sjelljen problematike të Çelikut në zonë.
Refuzimi i shërbimit ka shkaktuar debat mes dy personave. Pas përplasjes verbale, 53-vjeçari është larguar nga lokali dhe është kthyer në banesën e tij.
Dyshohet se gjatë kësaj kohe Çeliku ka marrë një pistoletë që e mbante pa leje, përpara se të rikthehej sërish pranë lokalit ku ndodhej 23-vjeçari.
Me të mbërritur aty, 53-vjeçari dyshohet se ka qëlluar disa herë me armë në ajër, me qëllim kanosjen e të riut me të cilin ishte konfliktuar pak më herët.
Pas sinjalizimit për të shtënat, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë ndërhyrë menjëherë në zonë. Ndërhyrja e shpejtë e efektivëve ka shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, ndërsa autori i dyshuar është arrestuar në flagrancë.
Gjatë veprimeve në vendngjarje, policia ka sekuestruar edhe pistoletën, e cila u gjet në posedim të 53-vjeçarit.
Materialet procedurale i janë referuar autoriteteve kompetente për vijimin e hetimeve dhe përcaktimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



