Kandidati për president i Austrisë: Armët e Skënderbeut do kthehen në Krujë
Një premtim i veçantë për Shqipërinë vjen nga ekonomisti dhe aktivisti austriak Günther Fehlinger-Jahn, i cili synon të kandidojë për president të Austrisë në zgjedhjet e vitit 2028.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, e xhiruar në një muze në Vjenë, Fehlinger-Jahn ka deklaruar se, nëse arrin të zgjidhet president i Austrisë, do të angazhohet për rikthimin në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës që i atribuohen heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
“Si President i Austrisë, zotohem të rikthej përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut në Krujë, Shqipëri, për të nderuar Mbretin Skënderbe”, shkruan ai në postimin e publikuar më 2 tetor.
Deklarata është bërë në një prej muzeve të Vjenës, ku aktualisht ruhen këto objekte historike. Premtimi i Fehlinger-Jahn vjen si pjesë e qëndrimeve të tij të mëparshme për forcimin e marrëdhënieve mes Austrisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Fehlinger-Jahn, i cili drejton Austrian Committee for NATO Enlargement, është i njohur për angazhimin e tij publik në favor të zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor. Ai ka pasur gjithashtu një lidhje të hershme me Shqipërinë, ku ka jetuar dhe punuar për disa vite.
Në një intervistë për “Tirana Times” në vitin 2012, ai ka treguar se vizitën e parë në Shqipëri e kishte bërë në vitin 1998, ndërsa në vitin 2008 ishte vendosur për të jetuar në vend. Përgjatë viteve, ai ka mbajtur qëndrime publike edhe në mbështetje të integrimit euroatlantik të Kosovës.
Objektet që lidhen me Skënderbeun ruhen në Weltmuseum Wien. Përkrenarja dhe shpata janë ekspozuar edhe në Shqipëri. Në vitin 2012, ato u sollën përkohësisht në Tiranë për një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar, duke tërhequr vëmendje të madhe publike.
Premtimi i fundit i Fehlinger-Jahn lidhet me një sërë idesh që ai ka artikuluar më herët për afrimin historik dhe kulturor mes Austrisë dhe Shqipërisë. Mes tyre ka qenë edhe propozimi për ngritjen e një monumenti të Skënderbeut në Vjenë.
Nëse kandidatura e tij për presidentin austriak do të konkretizohet dhe ai do të fitojë zgjedhjet e vitit 2028, mbetet për t’u parë nëse premtimi për kthimin e objekteve të Skënderbeut në Krujë do të shndërrohet në një nismë konkrete institucionale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



