“Pse flet me motrën time?” Dhunohet polici 19-vjeçar në Krujë
Një punonjës policie 19-vjeçar është dhunuar mbrëmjen e kaluar në Krujë, ndërsa ndodhej jashtë orarit të shërbimit. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për shkak të një konflikti të lidhur me komunikimet e tij në rrjetin social Instagram.
I riu, pjesë e Patrullës së Policisë, është sulmuar fizikisht dhe është goditur me sende të forta, përfshirë edhe një shkop bejsbolli.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autorët janë dy vëllezër të një vajze me të cilën 19-vjeçari kishte komunikuar në Instagram. Sipas të dhënave të administruara gjatë hetimit, familjarët e vajzës kishin mësuar për komunikimin mes tyre dhe dyshohet se njëri prej vëllezërve ka reaguar ndaj kësaj situate.
Vajza me të cilën kishte komunikuar punonjësi i policisë është nën moshën 18 vjeç.
Pas kallëzimit të bërë nga efektivi, strukturat hetimore kanë nisur punën për dokumentimin e ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë. Një rol të rëndësishëm në hetim ka pasur edhe këqyrja e kamerave të sigurisë, përmes së cilës është bërë e mundur të identifikohet automjeti që dyshohet se është përdorur nga personat e përfshirë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Dy vëllezërit janë shpallur në kërkim nga policia, ndërsa vijojnë veprimet hetimore për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Autoritetet po punojnë gjithashtu për të dokumentuar në mënyrë të plotë dinamikën e konfliktit dhe përgjegjësinë e personave të dyshuar për dhunimin e punonjësit të policisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



