Kaos në Kuvendin e Kosovës, Musliu i hedh ujë Gërvallës
Përplasjet politike kanë shpërthyer në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke ndërprerë aktivitetin e organizuar për mërgatën. Në qendër të tensioneve është vendosur Donika Gërvalla, e cila është përfshirë në një debat të ashpër me deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Gërvalla, deputete e grupit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministre në detyrë e Drejtësisë, kishte hyrë në sallën plenare për të marrë pjesë në aktivitetin e përvitshëm të Kuvendit me bashkatdhetarët.
Por prania e saj ka sjellë menjëherë përplasje me deputetet e PDK-së, Blerta Deliu, Eliza Hoxha dhe Ganimete Musliu.
Deputetet e PDK-së i kanë kërkuar vazhdimisht Gërvallës që të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit, duke e ndërprerë debatin me thirrjet: “Thirre seancën” dhe “Boll me performanca, thirre seancën”.
Gërvalla u është përgjigjur duke i ftuar deputetët e PDK-së në takim për të gjetur një marrëveshje.
“Ejani në takim, pse s’po vini, pse po tuteni”, u ka thënë ajo.
Përplasja është përshkallëzuar më tej kur deputeti i PDK-së, Artan Behrami, e ka akuzuar Gërvallën se ka dërguar dosje në Gjykatën Speciale kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Mos rrej”, i është përgjigjur Gërvalla.
Në një moment tensioni, deputetja Ganimete Musliu i ka hedhur ujë Donika Gërvallës, duke e bërë situatën edhe më kaotike në sallën plenare.
Pas incidentit, përplasja është zhvendosur drejt deputetit të Vetëvendosjes, Ardian Gola, ndaj të cilit deputetët e PDK-së kanë përsëritur të njëjtën kërkesë: thirrjen e seancës konstituive.
Debati ka vijuar edhe me përfshirjen e Arbërie Nagavcit, ish-shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes në legjislaturën e kaluar.
Për shkak të tensioneve dhe përplasjeve mes deputetëve, aktiviteti i Kuvendit të Kosovës me mërgatën është pezulluar përkohësisht. Përplasjet kanë vijuar në sallën e seancave plenare, ndërsa situata politike në Kuvend mbetet e tensionuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



