E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kapen sërish 6.5 kg kokainë në portin e Durrësit!
Publik News

Kapen sërish 6.5 kg kokainë në portin e Durrësit!

Bëhet fjalë për një sasi prej 6.5 kilogramësh të fshehura në një kontejner me banane të kompanisë “Alba Exotic”.

Duke u nisur nga operacionet e mëparshme ndaj të njëjtës kompani, policia kreu një kontroll në 10 kontejner të tjerë ku u gjet lënda narkotike.

Tashmë dosja hetimore i ka kaluar në kompetencë SPAK-ut e cila do të shtrijë më tej hetimet për trafikun e kokainës.

Njoftimi i policisë:

Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën trafikimit të lëndëve narkotike. Në kuadër të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gr. lëndë narkotike kokainë, dhe veprimeve hetimore të kryera më datë 17.07.2021, ku në Port  u konstatuan të hapur dy kapakë të njërit prej kontenierëve për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar pasditen e sotme.

Në vijim të operacionit “Rada” pasditen e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit është ushtruar kontroll i imtësishëm në 10 kontenierë për llogari të kësaj kompanie, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në një nga kontenierët u gjetën dhe u sekuestruan 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë. Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e një grupi të posaçëm prokurorësh të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe të SPAK-ut.  Në nisje të operacionit, më datë 13.07.2021, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. G., (menaxheri i firmës) dhe është shpallur në kërkim administratori i firmës, shtetasi E. D.

Më datë  13 korrik në portin e Durrësit u kap një sasi prej 11 kg drogë e cila u zbulua brenda një kontejneri me banane që vinte nga Ekuadori për llogari të një kompanie shqiptare. Lënda narkotike u gjet pas një kontrolli rutinë të Policisë Kufitare. Nga vëzhgimi me skaner rezultoi se kontejneri kishte pësuar modifikime në pjesën e bazamentit. Atje u gjet më pas e fshehur droga e ndarë në 14 pako dhe pas peshimit rezultoi 11 kg e 650 gramë.

Pas zbulimit të lëndës narkotike, Policia ka arrestuar menaxherin e firmës shqiptare që kishte porositur bananet, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i kompanisë. Policia e Durrësit, në një njoftim në orët e mbrëmjes së shkuar, saktëson se ka arrestuar shtetasin Barjon Gumeni, 34 vjeç, banues në Tiranë, menaxher i firmës, si dhe ka shpallur në kërkim shtetasin Eduart Dauti, 50 vjeç, administrator (pronar) i kompanisë së tregtimit të bananeve.

OPERACIONI

Si pasojë e sekuestrimit të sasive të ndryshme të drogës gjatë viteve të fundit, Policia ka urdhëruar që të gjithë kontejnerët që vijnë kryesisht nga Amerika Latine të futen në skaner, por ky fakt nuk i ka stepur trafikantët të provojnë fatin, duke tentuar herë pas here të mbushin kontejnerët me kokainë. Rasti i fundit ku u sekuestruan 11 kilogramë e 650 gramë drogë ishte komplet rastësi për Policinë, pasi ishte skaneri që diktoi se në trupin e kontejnerit ndodheshin disa pako me kokainë, të fshehura në pjesën frigoriferike.

Në momentin që është hapur nga agjentët e Antidrogës rezultoi se në pjesën fundore të transportuesit që ishte modifikuar, fshiheshin 14 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave ndodhej lënda narkotike kokainë e pastër. Kontejneri kishte dy ditë që kishte mbërritur në Portin e Durrësit dhe po mbahej nën vëzhgim nga Policia. Në momentin që ka shkuar shoferi i kamionit për të tërhequr ngarkesën, ka ndërhyrë Policia duke e shoqëruar atë dhe menaxherin e kompanisë që kishte porositur banane.

HETIMET

Policia dhe Prokuroria e Durrësit kanë nisur menjëherë hetimet për rastin në fjalë. Fillimisht janë marrë në pyetje dy të shoqëruarit, përkatësisht Barjon Gumeni, administrator i firmës “Alba Exotic Fruit” dhe shtetasin me iniciale J. O., shoferi që shkoi për të tërhequr kontejnerin, të cilët kanë mohuar të kishin lidhje me trafikimin e lëndës narkotike. Më pas grupi i hetimit ka vazhduar duke zbardhur itinerarin që kishte ndjekur anija para se të mbërrinte në Portin e Durrësit.

Sipas burimeve nga grupi i hetimit, kontejneri është nisur nga Ekuadori në datë 26 maj dhe ka ndaluar në 5 porte. Ndalesa e parë pas nisjes është në Guayaquil të Ekuadorit në orën 02:47 të 27 majit. Aty ka qëndruar për 2 ditë dhe më pas, mëngjesin e 29 majit, është nisur drejt Marokut në Afrikën e Veriut. Edhe në këtë ndalesë kontejneri ka qëndruar për një kohë relativisht të gjatë, nga data 16-24 qershor. Nga Maroku kontejneri ka udhëtuar drejt portit të Greqisë, për të mbërritur më pas në Portin e Durrësit, ku dhe pas kontrollit të detajuar u gjet 11 kg e 650 gramë.

Ngarkesa vinte për llogari të kompanisë shqiptare “Alba Exotic fruit”, me seli në Kombinat, Tiranë dhe që operon në treg që nga viti 2011, ndërsa pronarë të saj janë Eduart Dauti, i shpallur në kërkim dhe Barjon Gumeni (vëllai nga nëna i 50- vjeçarit). Aktualisht po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në trafik.

PRONARI I KOMPANISË: POROSIS BANANE, JO KOKAINË

Pas sekuestrimit të kokainës në kontejnerin e ngarkuar me bananet e porositura nga kompania “Alba Exotic Fruit” ka reaguar pronari i kësaj të fundit. Nga Franca, Eduart Dauti ka mohuar të ketë lidhje me trafikimin e drogës dhe ka kërkuar nga Policia të zbardhet menjëherë kjo ngjarje. “Unë jam në Francë aktualisht dhe nuk di asgjë se çfarë ka ndodhur. Më kanë marrë miq e shokë, duke më treguar se është kapur drogë në kontejner, por realisht nuk di asgjë.

Prej tri ditësh ndodhem në Francë së bashku me familjen, pasi kam ditëlindjen e vajzës. Nesër besoj vij në Shqipëri, pasi kam dhe biletat e kthimin dhe do të sqaroj të gjithë pozicionin tim dhe të kompanisë”, ka deklaruar Dauti, duke vijuar: “Ky kontejner i bllokuar ditën e sotme ka mbërritur në Portin e Durrësit nga Porti i Pireut në Greqi. Sasia e bananeve është blerë nga firma në një kompani tjetër në Ekuador. Unë kam bananet, nuk kam kontejnerin dhe s’mbaj përgjegjësi se çfarë i futet kontejnerit gjatë rrugës. Trafikantët shqiptarë përdorin mallin tim për të transportuar drogën e tyre”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.