Kapet “Grupi” i kanabisit në Korçë
Dy të arrestuar, dy në kërkim për trafik ndërkombëtar droge
Publik.al – Një tjetër rrjet kriminal që merrej me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike është goditur nga policia në juglindje të vendit. Në kuadër të operacionit të koduar “Grupi”, dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi akuzohen si organizatorë dhe financues të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit drejt Greqisë.
Të arrestuarit janë Leonard Xhemollari, 45 vjeç, banues në Maliq, dhe Gentian Muço, 48 vjeç, banues në Korçë të cilët sipas hetimeve janë financuesit kryesorë të aktivitetit të paligjshëm. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim Rexhildo Berberi, 42 vjeç, dhe Abidin Guraj, 35 vjeç, të dy banues në Korçë, të dyshuar si organizatorë të trafikimit të drogës në disa episode të mëparshme të goditura nga policia.
Sipas njoftimit zyrtar, grupi vepronte kryesisht në fshatin Polovisht të njësisë administrative Maliq, ku kryhej kultivimi i kanabisit. Më pas, lënda narkotike transportohej për tharje dhe përpunim në një magazinë në fshatin Voskop, Korçë, nga ku organizohej më tej trafikimi në drejtim të Greqisë.
Policia bën me dije se dy organizatorët e shpallur në kërkim janë të përfshirë në katër raste të mëparshme, të dokumentuara:
- Më 8 qershor 2025, ku u kap në flagrancë shtetasi V. B. me 6 kg heroinë në Pikën Kufitare Kapështicë;
- Më 25 prill 2024, kur u arrestuan K. SH. dhe H. M. me 12.5 kg kanabis;
- Më 23 shtator 2023, ku u ndalua K. K. në Pogradec me 52.6 kg kanabis;
- Më 27 nëntor 2023, ku u arrestuan L. L. dhe S. P., ndërsa në Greqi u sekuestruan 26 kg drogë.
Çfarë u sekuestrua gjatë operacionit?
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat dhe ambientet e përdorura nga të dyshuarit, policia gjeti dhe sekuestroi një sërë pajisjesh që dëshmojnë për një veprimtari të sofistikuar dhe të organizuar:
- Fenelina policie,
- Pajisje GPS dhe gjurmimi,
- Kamera dhe pajisje regjistrimi të fshehta,
- Targa automjetesh, USB, karta memorie, DVR,
- Laptop, dron,
- Kontrata shitblerjeje dhe përdorimi të automjeteve të ndryshme.
Në banesën e Rexhildo Berberit, një nga të shpallurit në kërkim, policia zbuloi gjithashtu një ambient të përshtatur për modifikimin e automjeteve – dyshohet për qëllime të trafikut të drogës.
Hetimet vazhdojnë
Operacioni “Grupi” u realizua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit. Materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme për veprat penale:
- “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”,
- “Kultivimi i bimëve narkotike”,
- “Trafikimi i narkotikëve”.
Policia ka bërë të ditur se hetimet vijojnë për të identifikuar dhe ndjekur penalisht të gjithë personat e tjerë të implikuar në këtë rrjet të mirëstrukturuar të trafikut të drogës.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



