E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kapet me pistoletë në makinë, 29-vjeçari dyshohet se do ta shiste
Lajme

Kapet me pistoletë në makinë, 29-vjeçari dyshohet se do ta shiste

Një 29-vjeçar është arrestuar në Kamëz, pasi u kap duke transportuar me automjet një pistoletë, të cilën dyshohet se synonte ta shiste. Operacioni policor u zhvillua nga Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Në kuadër të operacionit të koduar “LAST DRIVE II”, në pranga u vu Ervis Cara, banues në Krujë, i cili rezulton të jetë dënuar më parë për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorike.

Gjatë kontrollit të automjetit që drejtohej prej tij, efektivët gjetën një armë zjarri pistoletë. Arma u sekuestrua si provë materiale, së bashku me makinën dhe telefonin celular të 29-vjeçarit.

Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij, ku policia zbuloi një armë gjahu të mbajtur pa leje dhe 50 fishekë. Të gjitha sendet u sekuestruan në kuadër të hetimeve.

Blloku i shënimeve, në fokusin e hetimit pasuror

Përveç armëve dhe pajisjeve të sekuestruara, hetuesit kanë marrë edhe një bllok shënimesh, ku dyshohet se ishin regjistruar të dhëna për shuma të ndryshme parash.

Për këtë arsye, ndaj 29-vjeçarit ka nisur edhe një hetim pasuror, me qëllim verifikimin e pasurisë dhe të dhënave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e aktivitetit të dyshuar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Çështja po hetohet për veprat penale të trafikimit të armëve dhe municionit, si dhe të fshehjes së të ardhurave.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.