Kapet në SHBA shqiptari i dënuar me 50 vite burg (Emri+Foto)
Pas më shumë se dy dekadash në arrati, Valentin Ftoni, 52 vjeç, është arrestuar në Nju-Jork, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ftoni ishte ndër personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, pasi është dënuar në dy procese gjyqësore me nga 25 vite burgim për tri vrasje të kryera në Qarkun e Shkodrës. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2001.
Arrestimi u bë i mundur falë bashkëpunimit me DSS/OCIU, strukturën federale amerikane të angazhuar në çështjet e hetimit dhe sigurisë pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, si dhe me Shërbimin e Marshallëve të Shteteve të Bashkuara (USMS) dhe Agjencinë e Emigracionit dhe Doganave (ICE).
Si arriti t’i shpëtonte drejtësisë shqiptare?
Sipas të dhënave të hetimit, pas largimit nga Shqipëria, Ftoni ka përdorur dokumente të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin amerikan.
Dyshohet se, pasi mbërriti në SHBA, ai përdori edhe një identitet tjetër të rremë, të siguruar nga një vend i Amerikës Qendrore, me qëllim shmangien e identifikimit nga autoritetet.
Pavarësisht viteve të kaluara në arrati, bashkëpunimi mes strukturave shqiptare dhe agjencive amerikane bëri të mundur lokalizimin e tij në Nju-Jork dhe arrestimin e 52-vjeçarit.
Dy dënime nga 25 vite burg për tri vrasje në Shkodër
Dosja penale e Valentin Ftonit lidhet me dy ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në Qarkun e Shkodrës.
Më 28 shtator 2001, Gjykata e Shkodrës e dënoi me 25 vite burg për vrasjen me paramendim, në bashkëpunim, të dy shtetasve, të identifikuar me inicialet Gj. M. dhe A. M. Ngjarja ndodhi më 19 shtator 2000, në fshatin Ças të Velipojës, dhe sipas të dhënave të çështjes, krimi u krye për motive gjakmarrjeje.
Disa vite më vonë, më 18 nëntor 2008, e njëjta gjykatë e dënoi sërish me 25 vite burgim, këtë herë për vrasjen me paramendim të shtetasit G. T., ngjarje e regjistruar më 12 gusht 2001.
Në total, Ftoni është dënuar me 50 vite burgim për tri vrasje. Arrestimi i tij në Shtetet e Bashkuara shënon një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet për të lokalizuar dhe kapur personat e kërkuar nga drejtësia shqiptare, edhe kur ata ndodhen jashtë vendit prej shumë vitesh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




