Shfrytëzonte vajzat për prostitucion, arrestohet 40-vjeçari
Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Peshkopi, pas një operacioni të zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Në pranga ka rënë Gëzim Dani alias Gëzim Hidri, i cili ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma, pasi rezulton i dënuar në Itali me 9 vite burgim.
Arrestimi i tij u realizua nga specialistët e FAST Albania, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në kuadër të një tjetër faze të operacionit të koduar “Fast”.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, Dani ishte dënuar nga Gjykata e Apelit të Napolit, me vendimin e datës 15 nëntor 2021, me 9 vite burg për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Sipas autoriteteve italiane, aktiviteti kriminal për të cilin është dënuar lidhet me shfrytëzimin e vajzave nga Europa Lindore për prostitucion në zonën e Napolit gjatë vitit 2009.
Pas lokalizimit dhe arrestimit në Peshkopi, kanë nisur procedurat përkatëse për ekstradimin e 40-vjeçarit drejt Italisë, ku duhet të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia italiane.
Procedurat po ndiqen nga Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën.
Policia bën me dije se arrestimi është kryer në vijim të bashkëpunimit ndërkombëtar për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim nga autoritetet e huaja.
“Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me DVP Dibër, faza e radhës e operacionit të koduar “Fast”.
Kapet në Peshkopi, 1 shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar në Itali, me 9 vjet burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Në vijim të bashkëpunimit nëpërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Itali, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Dibër, finalizuan një tjetër fazë të operacionit të koduar “Fast”, gjatë së cilës u kap në Peshkopi dhe u arrestua shtetasi:
-Gëzim Dani alias Gëzim Hidri, 40 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Apelit e Napolit, me vendimin e datës 15.11.2021, e ka dënuar me 9 vjet burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, sepse ka shfrytëzuar vajza nga Evropa Lindore, për prostitucion, në zonën e Napolit, në vitin 2009.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurën për ekstradimin e 40-vjeçarit, në Itali”, njofton policia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



