Katastrofa në Venezuelë, 920 të vdekur dhe mbi 51 mijë të zhdukur
Momente tronditëse të shkatërrimit masiv vijojnë të raportohen nga Venezuela, e goditur nga dy tërmete të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë të shkallës Rihter, më të fortët që kanë prekur vendin në më shumë se një shekull.
Sipas autoriteteve, bilanci i viktimave ka arritur në 920 persona, ndërsa mbi 3,360 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Lajmi u konfirmua nga presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, i cili paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm, pasi qindra persona rezultojnë ende të bllokuar nën rrënoja.
Ndërkohë, situata mbetet dramatike për mijëra familje që kërkojnë të afërmit e tyre. Raportime nga platforma qytetare dhe burime jozyrtare flasin për mbi 51 mijë persona të raportuar si të zhdukur.
Një nga zonat më të goditura është qyteti bregdetar i La Guaira, ku imazhet satelitore tregojnë nivele të larta shkatërrimi. Kompleksi i banimit “Chavez”, i njohur si “Suma”, është shembur pothuajse plotësisht, ndërsa disa pallate shumëkatëshe janë rrëzuar brenda pak sekondash.
Dëme të rënda janë raportuar edhe në zonat industriale, ku depo dhe objekte të shumta janë shkatërruar totalisht. Aeroporti ndërkombëtar ka pësuar dëmtime serioze dhe është mbyllur përkohësisht.
Lëkundjet janë ndjerë edhe në Brazil, ku autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e disa ndërtesave për arsye sigurie.
Në terren, të mbijetuarit po përpiqen të shpëtojnë familjarët dhe fqinjët duke gërmuar mes rrënojave me mjete rrethanore, madje edhe me duar, për shkak të mungesës së pajisjeve dhe ekipeve të mjaftueshme të shpëtimit.
Ndërkohë, raportimet flasin për zemërim në rritje ndaj reagimit të autoriteteve, të cilat po përballen me vështirësi të mëdha për të menaxhuar përmasat e katastrofës. Në disa zona janë shënuar edhe raste plaçkitjesh.
Komuniteti ndërkombëtar ka nisur mobilizimin për të ndihmuar vendin e goditur. Mbretëria e Bashkuar ka dërguar një avion ushtarak me 68 specialistë të kërkim-shpëtimit dhe qen të trajnuar, si dhe ka premtuar një fond prej 2 milionë paundësh për emergjencën.
Ndërkohë, edhe Shtetet e Bashkuara, Meksika, Spanja, Gjermania dhe vende të tjera kanë nisur dërgimin e ekipeve të specializuara, ndihmave mjekësore dhe furnizimeve humanitare për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit dhe popullsinë e prekur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



